Në Gjykatën Themelore të Pejës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve Gëzim Hoxha, Rrezon Hoxha dhe Rrethim Hoxha, të cilët akuzohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykimi i sotëm ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare, në të cilën prokurorja Sadihe Gashi, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar aktakuza e ngritur. E njëjta theksoi se edhe më tej në të gjitha provat materiale është vërtetuar se të pandehurit kishin pasur marrëveshje paraprake për ti privuar nga jeta të dëmtuarit Nexhat dhe Bekim Kastrati. Ajo shtjelloi edhe pikat tjera të aktakuzës, si bashkëkryerjen, dashjen, pranimin e fajësisë nga të akuzuarit sa i përketë armëmbajtjes pa leje.
Ndryshe nga kjo, mbrojtësi i të akuzuarit Gëzim Hoxha, avokati Florent Latifaj, deklaroi se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, dhe njehërit deklaroi se dispozitivi i parë i aktakuzës sot ndërroi për herë të tretë dhe atë substancialisht duke sjell paqartësi të mëdha. Ai sqaroi se i mbrojturi i tij, Gëzim Hoxha dhe djemtë e tij nuk kanë pasur asnjë qëllim për ti privuar nga jeta të dëmtuarit. “Nëse qëllimi do të ishte privimi nga jeta i tyre atëherë pse kanë pas nevojë me u ul me fol me ta, kur kanë ardhur nga Prishtina, përderisa Gëzimi ka pas kallashnikov më veti”, deklaroi avokati Latifaj.
Në fund ai shtoi se, të akuzuarit asnjëherë me parë nuk kanë rënë ndesh me ligjin, dhe se të njëjtit kishin reaguar vetëm pasi iu ishte kërcënuar jeta nga një person që kishte marrë jetë më herët dhe nga një tjetër më një të kaluar të gjatë kriminale.
Me tutje, mbrojtësit e të akuzuarve Rrethim dhe Rrezon Hoxha, avokatët Gani Kelmendi dhe Ramë Dreshaj e dorëzuan të shkruar fjalën përfundimtare, dhe njëkohësisht e shtjelluan në pika te shkurtra atë. Mbrojtësi Ramë Dreshaj, deklaroi se “Me çudit faktit se prokuroria e Pejës ende nuk e ka të qartë se sa herë ka shtënë i mbrojturi i im si dhe ajo gjithashtu nuk ka arritur ta vërtetoj lidhjen shkakore se pse ka ardh deri të kjo ngjarje”.
Kryetari i trupi gjykues Sami Sharaxhiu, ne fund i njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datë 30 tetor 2019.
Kujtojmë, se Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje. Këtë vendim e kishte bazuar në faktin se arsyetimi është në kundërshtim me dispozitivin e aktgjykimit të dhënë nga Gjykata Themelore e Pejës sepse nuk përshkruhen qartë veprimet e secilit të pandehur veç e veç.
Sipas aktakuzës, me datë 07.06.2017, në kafiterinë “Bridge 2”, në Pejë, të akuzuarit Gëzim (Haxhi) Hoxha , i lindur me 21.01.1961, Rrethim (Gëzim) Hoxha, i lindur me 17.06.1990 dhe Rrezon (Gëzim) Hoxha, i lindur me 27.01.1986 pas marrëveshjes paraprake mes tyre, si bashkëkryerës, me dashje tentojnë t’i provojnë nga jeta të dëmtuarit, Nexhdet dhe Bekim Kastrati, duke vën në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.
Si shkak për këtë ngjarje, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës, pretendon të jetë një mosmarrëveshje lidhur me pronën mes palëve.
Me tutje, aktakuza sqaron veprimet e palëve, ku mes të tjerash thuhet se pas një fjalosje në mes të të pandehurit Gëzim dhe të dëmtuarve, i njëjti shkon në veturën e tij merr armën automatike dhe fillon të shtie në drejtimin e të dëmtuarve Nexhdet dhe Bekim Kastrati, duke zbrazur kështu 17 plumba, i pandehuri Rrezon i cili ishte i ulur në një tavolinë afër të dëmtuarve ngritët dhe fillon të shtije në drejtim të të njëjtëve duke gjuajtur gjithsejtë 7 herë. Përderisa, i pandehuri Rrethim Hoxha, del nga vetura gjuan në drejtim të të pandehurve 6 herë, e më pas të njëjtit me veturë ikin nga vendi i ngjarjes. Me çka, si bashkëkryerës, akuzohen se kanë kryer veprat penale të lartcekura.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus