Dëshmitari thotë se konkluzionin për rrënim e nënshkruan inspektori

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

15:27 / 17 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot në Gjykatën Themelore të Prizrenit, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj inspektorit të ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit Nexhmedin Qani Musliu, i lindur më 07.03.1973, i cili po akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë.

I pandehuri akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare që i është besuar me ligj, ashtu që gjatë periudhës kohore 2016-2017, nuk kishte ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit, raporton “ Drejtësia Sot”

Lidhur me këtë rast, dëshmitari i ftuar nga prokuroria Bujar Jusuf Hasani, i lindur më 07.05.1959, si ish- drejtor i Drejtoratit të Inspektorëve në Komunën e Prizrenit, ka thënë se në bazë të ligjit të pushtetit lokal, marrja e konkluzioneve është kompetencë ekskluzive e Inspektorëve Komunal.

Në pyetjen e prokurorit të rastit Mehdi Sefa se a ka ndikuar stafi politik apo ndonjë instancë tjetër në mos ekzekutimin e një konkluzioni për rrënim.

“Ne si staf politik përveç ndonjë rasti kur Komuna nuk ka pasur kontraktorin që të merret me rrënimin e objekteve pa leje aty ka mund të ndodhë prolongimi apo shtyrja e afatit të rrënimit, për arsye objektive sepse nuk pasur kompani për rrënim por në asnjë moment nuk ndikon në vendimmarrje pas procedurës së udhëhequr, ka thënë Hasani.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokatit Gent Gjini se para se të vendoset që objektet të cilat kanë qenë për rrënim a duhet paraprakisht të bisedohet me inspektorët, dëshmitari ka deklaruar se një bisedë e tillë nuk është e nevojshme.

“Jo nuk ka nevojë përveçse ndonjë rast kur pala ndaj të cilit inspektori ka marrë veprimet, ka mundur të vijë në konsultim me drejtorin ne ato raste kur inspektori ka qenë tendencioz ndaj palës, mirëpo un nuk pasur ndonjë rast” ka thënë dëshmitari Hasani.

Ai ka shtuar se nuk është detyrë e drejtorit të inspektoratit të del në teren gjatë ekzekutimit të rrënimeve.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Gent Gjini ka propozuar që për seancën e radhës në cilësi të dëshmitarëve të ftohen pronari i kompleksit “Kastrati Comerc”, N.K dhe Pronari i Firmës “Coning” S.V.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, dhe seancën e radhës e ka caktuar më 2 dhjetor 2019 në ora 10:00.

“Drejtësia Sot” raporton se sipas aktakuzës së prokurorisë themelore të Prizrenit të cilën e përfaqëson Prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Nexhmedin Musliu akuzohet se në periudhën kohore, 2016 / 2017 në Prizren në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren  duke shfrytëzuar detyrën zyrtare  apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij e zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, respektivisht sipas aktakuzës për investitorët ” Kastrati Comerc” me pronar N.K dhe investitori “Coneng”  me pronar S.V.

Aktakuza thotë se Nexhmedin Musliu nuk ka ndërmarr konkluzione për rrënimin  e katit të 8 tetë të kompleksit ndërtimor Kastrati Comerc në lagjen “Jeta e re” i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7,  ku investitori ka ndërtuar një kat pa leje.

Sipas aktakuzës Nexhmedin Musliu ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në rrugën Rexhep Bajraktari, të bëhet ndërtimi edhe të tre kateve shtesë pa leje firmës “Coneng” me pronar S.V, e që kishte leje për dy kate P+B+2, me ç’rast mundëson dobim 3 tre  kate në etazhitet të objektit për investitorin e firmës “Coneng”.

Me këto veprime Prokuroria konsideron se Nexhmedin Musliu ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Monitorues: Lorik KABASHI