Dënohet me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë, i akuzuari për posedim të 546 gramë drogë të llojit “ Marihuanë”

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

09:36 / 15 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

15 Tetor 2019

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, sot u shpall vendimi ndaj të pandehurit E.C, i akuzuar për veprën penale: “blerja, posedimi shprëndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas vendimit të shpallur, E.C, u gjetë fajtor dhe u dënua me dënim prej 1 vit e 6 muaj burgim efektiv, si dhe me gjobë prej 1000 euro, duke i’a llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Përveç kësaj, i akuzuari u obligua që të paguajë edhe shumën prej 150 eurove, në emër të paushallit gjyqësor dhe kompensimit të viktimave.

Kundër këtij vendimi palët e paknaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, thuhet në fund të vendimit të shpallur nga gjyqtari Nikollë Komani.

Përndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës, i akuzuari E.C akuzohet se me datën 13.03.2019 në Rahovec paautorizim ka poseduar me qëllim shitje substancë psikotrope dhe analoge.

Aktakuza thotë se gjatë kontrollës nga Policia, të pandehurit i janë gjetur katër paketime dhe një cigare e llojit “Jonit” të mbushura në formë bari të llojit narkotikë. Po ashtu, aktakuza sqaron se gjatë bastisjes së shtëpisë së të pandehurit, përkatësisht në dhomën e tij,  janë gjetur 15 paketime të mbështjelluara me folje alumini, dy qese najlloni të mbushura me substancë në formë bari të dyshuara për narkotikë, një folje prej alumini që përdoret për paketimin e narkotikëve dhe një peshore digjitale.

Gjithsej të akuzuarit i janë konfiskuar 546.44 gram substancë narkotike të llojit marihuanë.

Kujtojmë së në shqyrtimin e kaluar i akuzuari në fjalën e tij përfundimtare kishte deklaruar se ndihet i penduar vetëm për posedimin e substancës narkotike, ndërsa për shtije jo pasi që sipas të akuzuarit, i njejti e kishte pasur vetëm për vete e jo për shitje.

Drejtësia Sot, ka monitoruar edhe mëparë këtë rast:

Jepet fjala përfundimtare për të akuzuarin për substanca narkotike

Monitoruar nga Jeta Vula dhe Qendresa Bytyqi