Gjykata Themelore e Pejës sot shpalli fajtor, të akuzuarin Ragip Gashi, për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rrejshme.
Pas leximi të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuçetaj, i akuzuari Gashi, pranoi fajësinë që kundërligjshëm e përfitoi statusin e veteranit.
Këtë pranim fajësie e mbështeti prokurorja Vuçetaj, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Osman Lajqi, dhe i njëjti u aprovua nga gjykata, me ç’rast edhe u shpall aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit.
Gjyqtari Ahmet Rexhaj, përmes aktgjykimi të shpallur të mërkurën e dënoi të akuzuarin Gashi, me 1 vit burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të zbatohet në rast se i njëjti brenda periudhës 2 vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.
Sipas këtij aktgjykimi si dënim plotësues të akuzuarit i është shqiptuar edhe urdhëri për kthimin e mjeteve palës së dëmtuar këtu Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe publikimin e këtij aktgjykimi.
Ndryshe, i njëjti obligohet edhe për pagimin e shpenzimeve gjyqësore në shumën prej 20 euro dhe shumën prej 30 euro, në emër të kompensimit të viktimave.
Theksojmë, së në përmirësimin e bërë sot në aktakuzë, prokurorja Vuçetaj, deklaroi se shuma e dëmit të shkaktuar nga i akuzuari Gashi, ndaj MPMS- së arrin vlerën prej 1360 euro.
Aktakuza e ngarkonte Ragip (Agush) Gashin, i lindur me 15.04.1955, se me datë 26.02.2018, në Departamentin e Familjeve Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, ka vënë në lajthim organin kompetent, përmes paraqitjes së dokumentit të falsifikuar (certifikatën për statusin e veteranit) si dokument i vërtetë, të regjistrohet në regjistrin e veteranëve luftëtar. Përmes këtyre veprimeve ai kishte arritur që ta përfitoj pensionin për statusin e veteranit luftëtarë, duke marrë pagën mujore prej 170 euro.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus