Dënohen me 57 vite burgim të akuzuarit për vrasjen mizore në Suharekë

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

11:41 / 10 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot në Gjykatën Themelore në Prizren është shpall aktgjykimi dënues kundër të akuzuarve Murat Adem Ademi i lindur më 03.06.1971, Resmije Bajram Bytyqi e lindur më 15.10.198, si dhe Fadil Feti Fetiu i lindur më 18.11.1973.

Kurse, Reshat Adem Ademi i lindur më 28.04.1973 u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer vepër penale të vrasjes së rëndë, raporton “ Drejtësia Sot”.

Murat Ademi u dënua me 25 vite burgim për veprën penale vrasje e rëndë, i cili sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ai më 6 tetor 2016 e ka privuar në mënyrë mizore nga jeta të ndjerin, A.B.

Resmije Bytyqi u dënua me 20 vite burgim për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari  Murat Ademi, është takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e ka vajzë të axhës dhe ajo i është ankuar atij se bashkëshorti i saj, viktima A.B, po e keqtrajtonte atë.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo i kishte kërkuar atij që ta vras burrin e saj, duke i thënë se nëse ai nuk mundet ta bëj vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Fadil Fetiu u dënua me 12 vite burgim për veprën penale të ndihmës në vrasjen e rëndë.

Sipas aktakuzës të re të përpiluar nga prokurori Genc Nixha, thekson se i akuzuari Fadil Fetiu  më 6 tetor të vitit 2016 në fshatin Peqan të Suharekës, me dashje e ka ndihmuar të akuzuarin Murat Ademi për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, duke i krijuar kushte për kryerjen e veprës penale.

Gjithashtu, të akuzuarit obligohen që të paguajnë shpenzimet procedurale në shumën prej 1000 euro, secili veç e veç. Ndërsa në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, ata do të paguajnë nga 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.

 

Monitorues: Lorik KABASHI & Uran ZOGAJ