Gjykata e Pejës, sot ka hapur shqyrtimin fillestar ndaj të akuzuarit Afrim Morina, i cili po akuzohet për “Legalizim të përmbajtjes së jashtëligjshme”.
I akuzuari Morina, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për faktin se nuk e ndjen vetën fajtor. Ai shtoi “Unë nuk kam falsifikuar statusin e veteranit, pasi që edhe sot vazhdoj ta marrë pensionin e veteranit në shumë prej 170 euro”.
Shqyrtimi i sotëm filloi me leximin e aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuçetaj, e cila bëri plotësimin e dispozitivit të aktakuzës duke shtuar shumën e dëmit në vlerë prej 3740 euro, të cilën i akuzuarit i ka shkaktuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo gjithashtu shtoi se propozon edhe dënimin plotësues urdhërin për kompensimin e dëmit të shkaktuar MPMS-së, si dhe njëkohësisht urdhërin për publikimin e aktgjykimit.
Ajo shtoi se “Këto dënime plotësuese i propozoi mbi bazën e ekonomizimit të procedurës dhe për shkak se publikimi i këtyre aktgjykimeve është më interes të opinionit publik, për faktin se kemi të bëjmë më një çështje shumë të ndjeshme me të cilët janë ballafaquar institucionet tona”.
Meqenëse, i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë, gjyqtari Ahmet Rexhaj, e njoftoi të akuzuarin Morina, që ka të drejtë që në afat prej 30 ditëve të paraqes kundërshtimet lidhur me aktakuzën.
Sipas aktakuzës, Afrim (Esat) Morina, i lindur me 02.06.1968, akuzohet se me datë 23.01.2017, dhe në kohë të pacaktuar, në Departamentin për Familjet e Dëshmoreve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, vë në lajthim organin kompetent, që në dokumentin publik (regjistrin) të vërtetoj një çështje të pavërtetë. Ai përmes prezantimit të dokumentit të falsifikuar se kinse i njëjti është veteran luftëtar i UÇK-së, arrin që të përfitoj statusin e veteranit luftëtar duke marrë pagën mujore prej 170 euro.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus