Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie ndaj ish-Zyrtarit të Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

16:27 / 28 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, u aprovua marrëveshja për pranimin të fajësisë, kundër ish-Zyrtarit të Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, Shkodran Nehru Baxhaku, i lindur më 25.01.1986.

I akuzuari Shkodran Baxhaku po gjykohet për  keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, manipulim me prova, si dhe për veprën penale, cenim i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike.

Në seancën e së hënës, Prokuroria Themelore në Prizren, që përfaqësohet nga prokurori Mehdi Sefa dhe ish – zyrtari  Baxhaku kanë paraqitur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi pasi mori vlerësimet e palëve në procedurë, mori vendim që ta aprovoj marrëveshjen për pranim të fajësisë, pasi që marrëveshja i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me dispozitat ligjore dhe nuk ka asnjë pengesë që ajo të refuzohet.

Sa i përket dënimit, për të akuzuarin Baxhaku Gjykata e dënoi me 12 muaj burgim dhe 1.000 euro dënim me gjobë, të cilin duhet ta paguaj brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Gjithashtu, i akuzuari është i obliguar që të paguaj 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë, prokurori i rastit Sefa, i akuzuari Baxhaku, me avokatin mbrojtës Skënder Morina deklaruan që ajo është lidhur në përputhje me të gjitha kërkesat e parapara me dispozita ligjore dhe kërkuan që Gjykata atë ta aprovoj.

Po ashtu, lidhur me dënimin, të njëjtit kërkuan nga Gjykata që ajo të shqiptoj dënimin brenda kufirit të rekomanduar nga Prokurori i Shtetit.

Pas kësaj, kryetarja trupit gjykues, gjyqtarja Elezi mori vendim për aprovim të kësaj marrëveshje dhe shqiptoi dënimin në masën sikurse u theksua më lartë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të datës 29 mars 2019, Shkodran Baxhaku në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet për pesë vepra penale, tre ndër të cilat kanë të bëjnë me korrupsion,  një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot raporton, se Shkodran Baxhaku akuzohet edhe në një rast tjetër për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. (Drejtësia Sot).

Monitorues: Lorik KABASHI