Sot Gjykata e Apelit në Prishtinë – Departamenti Special, ka shqyrtuar ankesat kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, në çështjen penale ndaj të akuzuarve A.L, R.H, F.G, F.A, G.A, F.S dhe Z.B, për pjesëmarrje dhe organizim në grup kriminal.
Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale të datës 20.08.2019, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje të dispozitave esenciale, vërtetim të gabuar dhe jo të saktë të gjendjes faktike dhe shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Drejtësia Sot.
Ankesë ndaj këtij aktgjykimi kanë parashtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, dhe atë kryesisht lidhur me vendimin mbi dënimin.
Më 16 korrik 2019, të akuzuarit A.L, R.H, F.G, F.A, G.A, F.S dhe Z.B sot janë shpallur fajtor nga Gjykata e Gjilanit, raporton Drejtësia Sot.
Të akuzuarit A.L, R.H, F.G, akuzoheshin për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi ose shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.
Të akuzuarit A.L dhe R.H u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 11 vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë Euro.
I akuzuari F.G u dënua me 8 vite burg, dhe dënim me gjobë në shumë prej 20 mijë Euro.
I akuzuari tjetër F.A i cili akuzohej për veprën penale blerja, shpërndarja, posedimi ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite dhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë Euro.
Më tutje, i akuzuari G.A i cili akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë Euro. Këtij të akuzuari iu ndëpre masa e paraburgimit.
Ndërsa, të akuzuarit F.S, Z.B për ndihmë në kryerjen e veprës penale u dënuan me burg ashtu që F.S me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vite, ndërsa Z.B me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka siguruar Drejtësia Sot, të akuzuarit A.L, R.H, F.G dhe F.A, akuzohen se në periudhën kohore shkurt 2017 deri më 30.04.2017 me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale, të grupit të organizuar. Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe i akuzuari A.Sh, i cili është në arrati.
Të akuzuarit me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror janë marrë me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve të llojit “marihuanë”.
Narkotiku ishte i fshehur dhe paketuar në tavolina dhe dërrasa të përgaditura me qëllim transporti dhe shitje në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Turqi.
Nga Policia e Kosovës në total janë sekuestruar rreth 824 kg e 706 gram narkotikë të llojit “marihuanë”.
Kurse të akuzuarit tjerë sipas aktakuzës: F.S, Z.B dhe L.B akuzohen se në një apo në formë tjetër kanë kryer veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve të veprës penale pas kryerjes së veprës.
Në këtë çështje penale do të vendos trupi gjykues i përbërë nga Kreshnik Radoniqi, Vaton Durguti dhe Burim Ademi.
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus