Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media të kësaj Prokurorie.
Në këtë mënyrë, me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Drejtësia Sot”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., më datë 06.10.2019 rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor ”Xhavit Sylaj”, cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës.
Kështu, i pandehuri ka vepruar në atë mënyrë që pasi voton, fletëvotimin e tij përmes telefonit celular e fotografon dhe pastaj e poston në internet.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri F.S., ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus