Gjykata Themelore e Pejës, sot ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarve që ngarkoheshin me vepra penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes se paautorizuar të substancave të ndryshme narkotike.
Vlen të theksohet se të akuzuarit D.Gj, B.A dhe E.A, sot në seancën e paradites kanë pranuar fajësinë për veprat që po akuzohen, duke shprehur keqardhje dhe pendim për këtë.
Kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, në shpalljen e bërë sot ka deklaruar se i akuzuari D.Gj, është gjetur fajtor për veprën të cilën e ngarkon aktakuza dhe i njëjti dënohet me 12 muaj burgim, me kusht që në afat prej 1 (një) viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe burgim me gjobë në shumën prej 300 (treqind) euro, të cilat obligohet ti paguaj në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Përderisa, edhe të ndaj dy të pandehurve B.A dhe E.A, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen gjykata iu shqipton dënim prej 12 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë të cilën obligohen ta paguajnë na afatin ligjor prej 15 ditësh.
Secilin prej gjykata e obligon në pagimin e shpenzimeve procedurale prej 25 (njëzetepesë) euro, dhe shumën prej 50 (pesëdhjetë) në emër të kompensimit të viktimave dhe 50 (pesëdhjetë) euro, në emër të paushallit gjyqësor.
Si dënim plotësues shqiptohet dënimi për konfiskimin e narkotikut të sekuestruar dhe shumës prej 1050 euro nga shitja e narkotikëve. Ndaj këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur me datë 18.03.2019, i akuzuari D.GJ, se në kohë të pacaktuar e gjerë më datë 26.10.2017, pa autorizim ka shitë substanca narkotike, të cilën e kishte siguruar nga të pandehurit E.A dhe B.A, ku pas kontrollit në shtëpinë e tij i sekuestrojnë narkotik të llojit marihuanë në sasi prej 311.9 gram, një qese prej 2.5 gram, një qese prej 309.4 gram në shportën e mbeturinave si dhe 4 cigare, e gjithashtu edhe 25 qese të vogla plastmasi të gatshme për mbushje me narkotik dhe mulli për bluarje të marihuanës.
Përderisa, të akuzuarit B.A dhe E.A, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes se paautorizuar të narkotikëve. Njësiti i antidrogës pas kontrollit në shtëpinë e tyre gjejnë dhe sekuestrojnë, shtatë (7) qese me narkotikë të llojit kokainë me peshë 3.2 gram, substancë narkotike e llojit marihuanë ne peshë prej 2.1 gram, substancë hashashi me peshë prej 0.3 gram, ndërsa në atletet e te akuzuari B.A, është gjetur kokainë me peshë prej 5 gram, një peshore digjitale për matjen e narkotikut, dhe një kuletë në të cilën kishte gjithsej 1.050 (njëmijepesëdhjetë)euro nga shitja e narkotikëve.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus