Vazhdon shqyrtimi në rastin “Stenta 2”. Dëshmojnë dy dëshmitarë, tre të tjerë mungojnë në shqyrtim

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

17:21 / 10 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot ka vazhduar përsëri shqyrtimi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ndaj disa kardiologëve të Kosovës të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

 

Gjatë seancës së sotme dhanë dëshminë vetëm dy dëshmitarë, Abaz Osmani dhe Bedri Haxhijaj, kurse munguan tre të tjerë, Xhevdet Pajaziti, Fetije Krasniqi dhe Anton Ndrecaj të cilët sipas gjykatës ishin ftuar në mënyrë të rregullt si dhe janë njoftuar edhe përmes telefonit për seancën e sotme, mirëpo, përsëri nuk ishin paraqitur në gjykatë dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar.

 

Seanca gjyqësore filloi me dëshminë e dëshmitarit Abaz Osmani, i cili deklaroi se si kishte përfunduar në spitalin privat “EDA”. Sipas këtij dëshmitari ai nuk kishte pësuar infarkt, duke kontestuar kështu diagnozën e kardiologut Masar Gashi.

 

Lidhur me këtë deklaratë të këtij dëshmitari, i akuzuari Gani Bajraktari tha se në asnjë libër bazik të kardiologjisë dhe as të avancuar të kardiologjisë nuk shkruan se ekziston mundësia e pamjes dhe verifikimit të stentave me ultrazë, duke i  propozuar trupit gjykues që të ftojë dëshmitar ose të marrë deklaratë me shkrim nga doktor Tefik Bekteshi për këtë deklaratë të tij, që të vërtetohet ajo se çka ka treguar para trupit gjykues dëshmitari.

 

I akuzuari Bajraktari i dorëzoi trupit gjykues dokument që ka të bëjë një sqarim lidhur me pacientët që janë ekzaminuar me infarkt akut, dhe ofroi një sqarim për rastet emergjente për pacientët me nevojë për ndërhyrje invazive. Ai shtoi se këto të njëjta janë në prova të prokurorisë të cilat e sqarojnë komplet gjendjen e trajtimit të pacientëve me infarkt akut në QKUK.

 

Tha që e lut trupin gjykues që ta konsultojë nenin 24 të Ligjit për Shëndetësinë, i cili e obligon mjekun që ta referojë pacientin për trajtim, për ato trajtime që nuk kryhen në QKUK.

 

Seancat  e radhës për këtë muaj janë caktuar të mbahen me datë 19 dhe 20 shtator 2019.

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.

 

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

 

 

Monitoruar nga: Biondina ZENELI