Vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve për tentim vrasjen me armë zjarri mes katër personave në Viti

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

16:03 / 10 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Skënder Hasani, Muhabi Latifi, Shukri Latifi dhe Ekrem Azizi. Të njejtit po përballen me akuzat për “vrasje në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “lëndim të rëndë trupor”.

Në vazhdim, dhanë dëshminë e tyre tre dëshmitarë konkretisht zyrtarët policor të cilët me 31 mars të vitit 2011 kur edhe kishte ndodhur ngjarja e rëndë, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

Dëshmitarët-zyrtarët policor Selami Pira, Arton Pira dhe Mehmet Sallahu treguan para trupit gjykues se si në ditën kritike kanë reaguar në mënyrë profesionale në vendin e ngjarjes. Për më tepër, deklaratat e tyre përputheshin me njëra tjetrën duke theksuar faktin se me të arritur në vendin e ngjarjes kanë parë të shtrirë dhe të plagosur në tokë të akuzuarin Ekrem Azizi, si dhe të akuzuarin tjetër Skënder Hasani i cili e kishte drejtuar armën në drejtim të Ekremit. Dëshmitarët e përmendur, thanë se në vendin e ngjarjes përpos një revoleje nuk kanë parë ndonjë mjet tjetër të rrezikshëm.

Pasi që dëshmitari Afrim Halili i propozuar nga prokuroria nuk ishte i pranishëm në gjykatë, kjo seancë gjyqësore do të vazhdojë me 1 nëntor 2019, njoftoi kryetari i trupit gjykues Agim Ademi.

Ndryshe, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Skënder Hasanit i cili dyshohet se me 31 mars të vitit 2011, në komunën e Vitisë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të akuzuarin Ekrem Azizi.

Aktakuza sqaron veprimet e Hasanit ashtuqë fillimisht i njejti e ka goditur me mjet te forte nga druri Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njejtin e godet dy herë me revole (të poseduar pa leje valide) në kofshë dhe në bark, ku për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë në QKUK.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas aktakuzës dyshohet se në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem ishte duke ikur, të njejtit e godasin me grushta, me mjete të forta të drurit dhe me boks nga hekuri në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari Ekrem Azizi, akuzohet se me armë të zjarrtë ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skënder dhe Muhabi duke i goditur që të dy nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

Monitoruese: Ronita HALIMI