Takimi i 171-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

10:57 / 04 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nën udhëheqjen e kryesuesit Bahri Hyseni, është mbajtur takimi i 171-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku i njejti filloi me miratimin e rendit të ditës si dhe miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar.

Pika e tretë kishte të bënte me raportin për tremujorin (prill – qershor 2019) për aktivitetet dhe Rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Sipas këtij raporti, gjatë këtij viti janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri në vlerë afro 4 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë fituar me anë të veprave penale .Mirëpo, si sfidë mbetet konfiskimi i kësaj pasurie pasiqë deri me tani nuk kemi ndonjë aktgjykim të formës së prerë edhe pse për këtë natyrë të veprës penale, gjykata ka vendosur për 18 raste deri me tani.

Në të njejtin theksohet se gjatë kësaj periudhe raportuese kemi rënie të lendëve që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit ekonomik. Anëtarët e KPK-së unanimisht e aprovuan këtë raport mirëpo jo edhe për pjesën ku përfshihen rekomandimet e propozuara.

Gjithashtu u aprovua edhe raporti gjashtëmujor (janar – qershor 2019) i Komisionit Mbikqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik

Sipas këtij raporti, Njësiti për Krime Ekonomike në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në këtë periudhe kohore ka ngritur 63 aktakuza lidhur me veprat penale të korrupsionit dhe janë duke u proceduar 118 raste që kanë të bëjnë me krime ekonomike.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i rekomandoi këtij komisioni që në raportimet e radhës të ofroi edhe detaje lidhur me këto vepra penale, sa janë të akuzuar dhe në cilën fazë është duke u zhvilluar procedura penale.

Takimi vazhdoi me pikën tjetër të rendit të ditës që kishte të bënte me themelimin e Panelit Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Me shumicën e votave u vendos që ky panel vlerësues të përbëhet nga Bahri Hyseni, Bedrije Syla-Alshiqi, Radica Milic, Dëshira Jusaj dhe Zejnullah Gashi, ndërsa si anëtarë të Komisionit për Rishqyrtimin e procesit për emërimin e Kryeprokurorit të kësaj prokurorie, u zgjodhen  Aleksandër Lumezi, Arben Ismajli dhe Ikramie Bojaxhiu.

Gjithashtu u vendos për themelimin e Panelit Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku si anëtarë të këtij paneli u zgjodhen: kryesuesi Bahri Hyseni dhe prokurorët Bedrije Syla-Alshiqi, Merita Bina, Radica Ristic dhe Dëshira Jusaj ndërsa Komisioni për Rishqyrtimin e procesit për emërimin e Kryeprokurorit të kësaj prokurorie do të përbëhet nga prokurorët Ikramie Bojaxhiu, Haxhi Sinanaj dhe Arben Ismajli.

Takimi vazhdoi me njoftimin se KPK, më datë 5 shtator, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi me “Axiom International” dhe “Agencia”, projekte këto të mbështetura nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Pika e dhjetë e rendit të ditës kishte të bënte me avancimin e një prokurori nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda, kërkesë kjo e parashtruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Këshilli mori vendim që të hapet konkurs lidhur më këtë pozitë dhe se për vlerësimin e kandidatëve do të vendos komisioni i përbërë nga Aleksandër Lumezi, Xhevdet Bislimi dhe Haxhi Sinanaj.

Në fund të takimit, të gjithë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës morrën vendim që kërkesat për kompensimin e pagave jubilare, të parashtruara nga ish-prokurorët Shpresa Bakija, Xhavit Osmani dhe Feti Tunuzliu të refuzohen. Kjo nën arsyetimin se KPK nuk është nënshkruese e Kontratës Kolektive dhe se për këtë ҫështje ekziston edhe aktgjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Monitorues Liridon SALIHI