Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda është shtyrë shyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Riza Smajli dhe Yll Begolli. I akuzuari Riza Smjali akuzohet për shkak të veprës penale falsifikim i parasë ndërsa i akuzuari Yll Begolli për shkak të veprës penale ndihma për kryerjen e veprës penale falsifikimi i parasë.
Përkundër pranisë së të akuzuarit Riza Smajli, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm për shkak të mungesës së të akuzuarit Yll Begolli, i cili sipas gjykatës ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo, mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.
Gjyqtarja tha se për të akuzuarin Begolli do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim nga policia për sigurimin e pranisë së të akuzuarit në seancën e ardhshme.
Shqyrtimi i ardhshëm gjyqësor u caktua për datën 21 tetor 2019 në orën 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Riza Smajli akuzohet se me datë 25.10.2018, pa autorizim ka poseduar para të falsifikuara që i kishte blerë në Shkup, me qëllim që të i vë në qarkullim si të vërteta. Ndërsa i pandehuri Yll Begolli ka ndihmuar të akuzuarin Riza Smajli që të sigurojë para të falsifikiara duke kontaktuar me personin Avdush. Për këto para dy të akuzuarit së bashku edhe me Mentor Ferizi dhe Avni Sopa kishin marrë rrugë për në Shkup. Gjatë rrugës në kufi i pandehuri Yll Begolli ishte ndaluar në një lokal ndërsa të tjerët kishin vazhduar rrugën të cilët me udhëzimet e të pandehurit Yll Begollit kishin përfunduar punë.
Sipas aktakuzës në Prishtinë te “Hib Petrol” makina është ndaluar nga policia, ku është gjetur dhe sekuestruar një thes me 1994 monedha metalike në apoena nga 5 franga zvicrane, në shumë prej 9970 franga dhe 8 monedha metalike në apoena nga 2 euro në shumë prej 16 euro. Gjithmonë sipas aktakuzës nga raporti i ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë të datës 04.12.2018, rezulton se paratë e sekuestruara janë të falsifikuara.
Monitoruar nga: Biondina Zeneli
Lajmet në fokus