Për sot ishte paraparë që të mbahet seanca gjyqësore ndaj kardiologëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shadije Gërguri njoftoi të pranishmit në sallën e gjykimit se seanca gjyqësore nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Shashivar Hoti.
Për muajin shtator ishin caktuar katër seanca, por janë mbajtur vetëm dy prej tyre për shkak të shtyrjes së seancës së sotme, e po ashtu as seanca e datës 20 shtator 2019 nuk do të mund të mbahet për shkaqe të njëjta.
Seanca tjetër u caktua për datën 27 shtator 2019, ku pritet të dhënë dëshminë katër dëshmitarë të dëmtuar për të dëshmuar në çështjen në fjalë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Monitoruar nga: Biondina ZENELI dhe Blendë MJEKU
Lajmet në fokus