Propozimi i prokurorit të rastit bëri që të shtyhet seanca e shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.
Prokurori i ҫështjes Ismet Ujakani në seancën e shqyrtimit gjyqësor, e bëri precizimin e aktakuzës dhe propozoi që si palë e dëmtuar të ftohen përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Skënderajt.
“Meqense me rastin e ngritjes së aktakuzës dhe zhvillimit të procedurës deri në këtë fazë, në aktakuzë nuk janë përfshirë financuesit e projektit ashtu siҫ përshkruhet në dispozitivin e aktakuzës e që finansues të projektit kanë qenë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Skënderajt, është e nevojshme të propozoj që si palë të dëmtuara në këtë rast në seancën e ardhshme të thirren dhe të dëgjohen përfaqësuesit të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Skënderajit” ka thënë Ujkani.
Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Halili ka shtyrë seancën e shqyrtimit gjyqësor për datën 16.10.2019 në ora 10:00.
Poashtu gjyqtari Halili ka njoftuar se në sencën e ardhshme do të ftohen përfaqësuesit e palës së dëmtuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 15 korrik 2016, Hasan Shala, në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skënderajt, si dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë drejtori, po akuzohen se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH” ILEAA-GR”.
Bazuar në aktakuzë, e akuzuara Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te pishat” në Skënderaj më 28 shtator 2011, ka kërkuar nga zyra e prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën numër 643-11-033-521 të datës 21 korrik 2011.
Kontratë, kjo e cila sipas aktakuzës, ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skënderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” në Skënderaj, për rregullimin e pishave të parkut në Skënderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.
Kurse, i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, më 4 tetor 2011, ka marr vendim me anë të së cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë edhe pse kompania NNSH” ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.
Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.
Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”.
Përveç kësaj, Sanije Ahmeti akuzohet edhe se si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skënderajt, me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH” ILEAA-GR” në Skënderaj ka bërë prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut te pishat në Skënderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara në fjalë ka vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtar në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190,00 euro, si dhe në shumën prej 7.814,00 euro edhe pse kompania NNSH” ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.
Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi në detyrë” në bashkim real me veprën penale si nën pikën 1 të dispozitivit.
Monitorues: Egzon Musa dhe Edita Koliqi
Lajmet në fokus