Ka dështuar për herë të dytë të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj S.M zyrtar i Drejtorisë së Pyjeve në komunën e Vitisë, i cili u paraqit sot në Gjykatën Themelore Gjilan, për t’u përballur me akuzën për marrje ryshfeti.
Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, të kryesuar nga gjyqtari Islam Thaqi, munguan pa arsye dy dëshmitarë të ftuar nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
Meqenëse nuk pati kushte ligjore për vazhdimin e seancës, trupi gjykues mori aktvendim, ku konstatoi shtyerjen e gjykimit për datën 18 Nëntor 2019, si dhe vendosi që ndaj dëshmitarëve në fjalë, do të lëshohet urdhërarrest për sjellje me detyrim, raporton Drejtësia Sot.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, e datës 23.03.2017- S.M akuzohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti, sepse duke qenë zyrtar ( rojtar pylli) pranë drejtoratit në komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga personi me iniciale R.B nga Gjilani.
Sipas Prokurorisë, shuma e të hollave për të cilën akuzohet se ka marrë i pandehuri gjatë viteve 2013 dhe 2014 janë: njëherë 60 euro, e më pas 100 euro dhe dy herë tjera nga 50 euro.
Aktakuza sqaron se këto të holla, i pandehuri i ka kërkuar me qëllim që për të mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, t’i lejojë personit me iniciale R.B, që të marrë në mënyrë kundërligjore dru në pyllin e pronës shtetërore.
Ndryshe në këtë rast, i akuzuar për dhënie ryshfeti ishte edhe personi me emrin R.B, por i cili e ka pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me kusht nga Gjykata Themelore e Gjilanit në dhjetor të vitit 2018.
Vlen të theksohet se hetimet për këtë rast janë zhvilluar nga shtatori i vitit 2016, ku më pas është ngritur aktakuzë në mars të vitit 2017, ndërsa shqyrtimi fillestar për këtë rast është mbajtur më datë 19.11.2018.
Përndryshe, sipas nenit 428 par.1 të Kodit Penal të Kosovës, (04/L-082) – S.M, në rast se shpallet fajtor për këtë vepër penale, rrezikohen të dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus