Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar gjykimi ndaj Agim Shishanit. Dyshohet se në cilësinë e rojës së pyllit ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke lejuar dëmtimin e pyllit.
Në fjalën hyrëse, i akuzuari Agim Shishani, u deklarua i pafajshëm duke shtuar se gjatë tërë kohës ka kërkuar ekip shtesë për mbikëryrjen e pyjeve sepse ka parë se pyjet po shkatërrohen dhe ka qenë e pamundur t’i ndaloj të gjitha vetë. Kjo për shkak se ka pasur shumë hektarë nën kujdes, aq sa nuk parashihet me ligj.
Për këtë kishte shkruajtur e paraqitur 30 raste.
Në seancë ishte i ftuar edhe drejtori i bujqësisë i komunës së Fushë Kosovës Mehmet Gërguri. Deklaroi se e njeh Agim Shishanin dhe është në dijeni për punën e tij. Thotë se ka pasur ngarkesë në punë por si drejtori e ka pasur të ndalur të marri staf të ri. Poashtu, që i akuzuari Agim Shishani kishte paraqitur kallëzime penale e paralajmëruar drejtorinë për dëmtimet e pyjeve.
Një roje pylli mund të menaxhoj 1000-1500 hektarë tokë kurse Agim Shishani kishte 3000 hektarë nën menaxhim.
Sipas aktakuzës, Agim Shishani në pozitën e personit zyrtar, roje pylli, pranë komunës së Fushë Kosovës, nga fillimi i muajit janar të vitit 2017 deri më datë 19.07.2017, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve për të cilat ka qenë i ngarkuar, në terrenin e tij në Gospojë dhe Grabovc, ka ndodhur një dëm pyjor i paarsyetuar prerja ilegale e pyjeve, me ç’rast i pandehuri Agim Shishani i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm prej 478.93.40m3 në vlerë prej 43,103.70 euro të dëmtuarës Agjensisë Pyjore të Kosovës.
Monitoruese: Ermirë JANUZI dhe Biondina ZENELI
Lajmet në fokus