Sot pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është shtyrë shqyrtimi shyqësor ndaj të akuzuarve Nehat Zeqa, ish inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës dhe Fisnik Sejdiu, kontabilist privat të cilët po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në shqyrtimin e sotëm u paraqitën të akuzuarit Zeqa dhe Sejdiu, mirëpo, munguan të dëmtuarit-dëshmitarët e ftuar Avdush Gashi dhe Skender Krasniqi të cilët ishin ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar në gjykatë.
Në shqyrtim mungoi edhe dëshmitari Ismet Krasniqi për të cilin gjykata nuk pati prova se i njëjti ka pranuar ftesë të rregullt nga gjykata.
Prokurorja e shtetit Besa Limani kishte kërkuar në seancën e mbajtur me 6 qershor që të dëmtuarit Avdush Gashi dhe Skender Krasniqi të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve, andaj, edhe në shqyrtimin e sotëm konsideroi përsëri që prania e këtyre dëshmiarëve është e domosdoshme.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nehat Zeqa, avokati Ismail Hyseni tha se edhe më herët kanë kërkuar qe të lexohet deklaratat e dëshmitarit Skender Krasniqi, pasi që i njëjti edhe më herët është thirrë në shqyrtim mirëpo nuk është paraqitur.
Prokurorja e shtetit tha se ky dëshmitar është i arritshëm për gjykatën andaj i njëjti duhet të paraqitet në shqyrtim.
Gjyqtari i çështjes Hamdi Ibrahimi kërkoi nga prokurorja që të shqyrtojë edhe njëherë këtë aktakuzë, sepse çështja është mjaft konfuze për shkak se nuk po dihet se kush është palë e dëmtuar, gjë që ka konstatuar edhe Gjykata e Apelit me aktvendimin e saj, ku të njëjtën çështje e kishte kthyer në rigjykim.
Shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale u shty për datën 15 tetor në orën 13:10.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nehat Zeqa dhe Finik Sejdiu, janë akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, Nehat Zeqa, në cilësinë e inspektorit në ATK dhe Fisnik Sejdiu, si kontabilist privat, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në atë mënyrë që i akuzuari Nehat Zeqa gjatë muajit gusht të vitit 2012, i ka rekomanduar të dëmtuarit Skender Krasniqi, ndërtues privat, që për shërbime të kontabilitetit të angazhojë të akuzuarin Fisnik Sejdiu.
Prokuroria pretendon se Krasniqi ishte takuar me të akuzuarit më 23 korrik 2012, në restorantin “Cao”, në Prishtinë dhe i kishin kërkuar atij para, kinse për t’i rregulluar obligimet tatimore pranë ATK-së dhe nga i njëjti kishin përfituar 11.900 euro, në dëm të dëmtuarit Skender Krasniqi. Për veprimet e njëjta dhe në mënyrë të njëjtë të akuzuarit pretendohet se kanë përfituar edhe nga të dëmtuarit Shefqet Gashi, Milot Miftari, Shefqet Avdia dhe Jakup Tahiri.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë Sejdiu, nga i dëmtuari Shefqet Gashi, pronar i NTN “Labi-Com”, gjatë muajit tetor të vitit 2012 ka përfituar 22.870 euro, në dëm të Gashit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Nehat Zeqa në cilësinë e inspektorit në ATK dhe Finik Sejdiu, si kontabilist privat, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në atë mënyrë që Zeqa gjatë muajit korrik të vitit 2012 i ka rekomanduar të dëmtuarit Milot Miftari, ndërtues privat, që për shërbime të kontabilitetit të angazhoi të pandehurin Fisnik Sejdiu, i cili kinse për t’i rregulluar obligimet tatimore pranë ATK-së ka përfituar nga i njëjti 4.000 mijë euro.
Për të akuzuarit pretendohet se Nehat Zeqa në cilësinë e inspektorit në ATK dhe Fisnik Sejdiu, si kontabilist privat, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në atë mënyrë Zeqa, gjatë muajit korrik të vitit 2012, i ka rekomanduar të dëmtuarit Shefqet Avdia, ndërtues privat, që për shërbime të kontabilitetit të angazhojë të pandehurin Fisnik Sejdiu, i cili kinse për t’i rregulluar obligimet tatimore pranë ATK-së ka përfituar nga i njëjti 2.500 euro, në dëm të dëmtuarit Avdia.
Prokuroria pretendon se si në rastin e të dëmtuarve të tjerë kanë vepruar edhe me të dëmtuarin Jakup Tahiri, që ka pësuar dëm prej 6.000 eurosh.
Monitoruar nga: Biondina ZENELI dhe Leutrim HIMAJ
Lajmet në fokus