Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, u mbajt seanca përgaditore në konfliktin administrativ të filluar me padinë e “EKOINVEST” kundër të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Përfaqësuesi i palës paditëse, avokat Agon Rrecaj, ka theksuar se mbesin në tërësi pranë kërkesëpadisë dhe kërkojnë nga gjykata që ta anuloi vendimin e OSHP-së, me anë të së cilit ju ka pamundësuar këtij operatori ekonomik pjesëmarrja në tenderin “Riparimin e Shiritave Magjistral të Qymyrit, drejtimi TC Kosova B”.
Poashtu, kërkohet edhe kompensimi i dëmit material në emër të fitimit të humbur në vlerë mbi 3 milionë euro.
Të gjitha këto pretendime janë kundërshtuar nga përfaqësuesja e OSHP-së, Erleta Popaj, e cila ka kërkuar nga gjykata që ta hedh poshtë padinë e “EKOINVEST“, pasi që vendimi i Panelit Shqyrtues nuk përmban shkelje ligjore, e këtë e ka vërtetuar edhe Agjensioni Kundër Korrupsion (AKK).
Për seancën e radhës, e planifikuar më datë 23.10.2019, do të ftohet edhe përfaqësuesi i kompanisë “FAM gmbh” në cilësinë e palës me interes juridik, pasi e njëjta se bashku me paditësen kanë aplikuar për këtë tender.
Gjithashtu, pritet te vendoset lidhur me angazhimin e një eksperti financiar për të llogaritur shumën e saktë të fitimit të humbur, kërkesë kjo e parashtruar nga pala paditëse.
Kujtojmë se përfaqësuesi i paditëses me parashtresë, kishte kërkuar nga gjykata që seanca e planifikuar më datë 25.06.2019 të shtyhet, e për këtë edhe pala e paditur është njoftuar nga ana e gjykatës në mënyrë të rregullt.
Paditësja me padi për konflikt administrativ ka kërkuar që të anulohet në tërësi si ligjërisht dhe faktikisht i pathemeltë ose të ndryshohet vendimi i OSHP-së me nr.280/16, të datës 19.10.2016. Kjo çështje administrative t’i rikthehet OSHP-së për rishqyrtim dhe rivendosje. Gjithashtu paditësja me padi ka kërkuar që e paditura e dytë KEK t’ia kompensoj dëmin material dhe fitimin e humbur në shumë prej 3,352,588.05 euro.
Ky dëm i pësuar si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit në lidhje me aktivitetin e prokurimit nr.KEKC 16/124/511, “Riparimin e Shiritave Magjistral të Qymyrit, drejtimi TC Kosova B”.
Monitorues: Liridon SALIHI
Lajmet në fokus