Nuk përgjigjet dëshmitari John Sweeney, shtyhet gjykimi për masakrën në Krushë të Vogël

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga

12:23 / 16 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prizren, mungesa dhe mos përgjigja e dëshmitarit nga Britania e Madhe John Sweeney, u bë shkas që të shtyhet gjykimi kundër të akuzuarit Darko Sreqko Tasiç, i lindur më 20.11.1973.

Tasiç po gjykohet lidhur me akuzat për krime lufte në Krushë të Vogël, gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, në muajin Mars të vitit 1999, raporton “Drejtësia Sot”.

Kjo nuk është hera e parë që dëshmitari Sweeney nuk po i përgjigjet ftesës së Ministrisë së Drejtësisë, që të dëgjohet si dëshmitar në Gjykatën e Prizrenit. Gjithashtu, sipas kryetarit të trupit gjykues Artan Sejrani, nuk kanë pranuar ndonjë informacion se kur i njëjti do të mund të dëgjohet.

Në këto rrethana, prokurorja e shtetit Drita Hajdari, kërkoi që edhe një herë të provohet që të sigurohet prania e dëshmitarit John Sweeney. Ajo theksoi se do t’i drejtohet me shumë urgjencë autoriteteve të Britanisë së Madhe, përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me propozimin e prokurores, mbrojtësi i të akuzuarit avokat Ljubomir Pantoviç, e kundërshtoi atë, duke thënë se duke insistuar që me çdo kusht të dëgjohet dëshmitari John Sweeney, po shkakton vetëm zvarritje të procedurës penale kundër të akuzuarit Darko Tasiç. Ai deklaroi se tre apo katër herë është tentuar që të sigurohet prania e këtij dëshmitari në seancë gjyqësore, mirëpo asnjëherë nuk është arritur një gjë e tillë.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance gjyqësore, prokurorja Hajdari i është drejtuar me shkrim Gjykatës, me të cilën ka kërkuar që të përmirësohen disa gabime teknike që janë bërë në procesverbalin e seancës gjyqësore më datë 03.09.2019. Pasi që nuk kishte ndonjë vërejtje nga pala mbrojtëse, gjyqtari Sejrani mori vendim që të aprovoj një propozim të tillë.

Në fund, kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani mori vendim që seancat e ardhshme gjyqësore të caktohen më datë 22 e 23 tetor dhe 18 e 19 nëntor 2019, të gjitha duke filluar prej orës 10:00.

Deri në datat e theksuara, Gjykata do të kërkoj informata nga Ministria e Drejtësisë për përgjigje nga dëshmitari Swenney. Në të kundërtën, shqyrtimi do të vazhdojë me mbrojtjen e të akuzuarit Darko Tasiç.

Vlen të theksohet se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiç në mes datës 15 deri 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryerës të tjerë ende të papërcaktuar, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Me këto veprime, Tasiç akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

Gjithashtu, i akuzuari ngarkohet që në mes datës 26 dhe 27 mars, Tasiç si pjesëtar rezervë  i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryerës të tjerë të forcave të MPB-së, kreu akte që janë në kundërshtim me Ligjet, Zakonet dhe Konventat Ndërkombëtare. I njëjti kishte djegur në mënyrë të paligjshme trupat e pajetë të një numri personash të paidentifikuar ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre, duke i hedhur ata trupa në mënyrë të pahijshme në lumin Drin, pranë fshatit Krushë e Vogël.

Monitorues: Uran ZOGAJ