Naser Kelmendi përsëri para gjykatës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

11:11 / 23 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Naser Kelmendi, i njohur si “bossi i Ballkanit”, i kërkuari nga Interpoli, i dyshuar per krim të organizuar të nivelit ndërkombëtar,  po gjykohet përsëri nën dyshimin për transport të drogës, lloji heroinë.

 

Në seancën e së hënës, ka munguar i akuzuari Naser Kelmendi e poashtu edhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha. Kjo për shkak të një rasti familjar të avokatit Berisha.

 

Sipas aktakuzës, Naser Kelmendi ka përdorur dëshmitarin e mbrojtur K2 dhe anëtarët e tjerë të organizatës së vet për të transportuar një dërgesë të madhe të heroinës nga Tuzlla për në Austri. Për shkak të një borxhi që K2 i’a kishte të akuzuarit Naser Kelmendi dhe pamundësia për t’ia kthyer pranon t’a merr një veturë të tipit VW Caddy në Tuzla dhe ta vozis deri në Austri për ta sjellë pastaj në Bosnjë një mbulesë të rimorkios së kamionit. Në këtë mënyrë Naser Kelmendi do të hiqte dorë nga pagesa e kamatës.

 

K2 e kishte marrë veturën siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi dhe e kishte vozitur atë përmes Sllovenisë deri në një sallë të një fabrike në Austri. Me të arritur, K2 e kishte lënë veturën por kur gjatë natës ishte kthyer në sallën e fabrikës për ta marrë telefonin e vet celular, ai i kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës në forma kubi të mbështjella me shirit ngjitës të bardhë. Ato i hiqnin nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës, “pashë se kishte shumë”, kishte spjeguar K2. “Jam i sigurt se sasia ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia”. “Meshkujt që po i shkarkonin kubet më thanë se ajo ishte heroinë”.

 

Kur K2 e kishte parë makinën VW Caddy ditën e radhës ajo “duket si kurrë nuk kishte pasur gjë në të, ajo ishte ngjitur prapë, ishte ngjyrosur e rregulluar e tëra”. Nga pasaporta e K2 vërtetohen hyrjet në Slloveni e Austri në kohën përkatëse.

 

Pas kthimit të Sarajevë, vetë Naser Kelmendi i kishte thënë K2 se droga ishte e tij. Kur e kishte dorëzuar mbulesën e rimorkios së kamionit dhe veturën VW Caddy, K2 e kishte pyetur Kelmendin “çka më ke bërë”, ndaj së cilës pyetje Naser Kelmendi ishte përgjigjur, “a mendove se për 11 mijë euro do ta transportoje vetëm mbulesën e rimorkios”.

 

Naser Kelmendi, edhe pse i dyshuar për krim të nivelit të lartë, është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri.

 

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë me të cilin i akuzuari Kelmendi lirohet nga akuza për vrasje të rëndë të Ramiz Delaliq, ndërsa ka anuluar vendimin me të cilin është dënuar për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve.

 

Për këtë pikë të aktakuzës, për shkak të shkeljeve procedurale, lënda është kthyer në rigjykim.

 

Monitoruese: Ermirë JANUZI dhe Biondina ZENELI