Mungon mbrojtësi, dështon gjykimi ndaj avokatit të akuzuar për mashtrim

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

15:18 / 26 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të enjten, si shkak i mungesës së mbrojtësit, avokatit Besnik Berisha, ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-avokatit H. Ç. i akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas burimeve të Drejtësia Sot, avokati Berisha, ka kërkuar që kjo seancë të mos mbahet dhe të caktohet ndonjë datë tjetër për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyer për një datë të ardhshme.

Ndryshe, sipas aktakuzës i pandehuri H.Ç., në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë, H.Ç. kishte marr para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt 2017.

Monitoruar nga Rinon Arifi