Mungon avokati i Azem Sylës, dështon gjykimi ndaj tij dhe të akuzuarve tjerë në rastin e njohur si “Toka”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

11:03 / 27 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Mungesa e avokatit Besnik Berisha, i cili mbron Azem Sylën, është bërë shkak që të dështoi seanca ku ish-deputeti i PDK-së dhe të akuzuarit tjerë po gjykohen për krim të organizuar dhe korrupsion në rastin e njohur si “Toka”, raporton Drejtësia Sot.

Me të filluar seanca, gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, theksoi se kjo seancë nuk do të mbahet me arsyetimin se është njoftuar nga avokati Berisha, se i njejti nuk do të jetë i pranishëm pasi që ka rast vdekje në familje.

Poashtu, në gjykimin e sotëm mungoi edhe i akuzari Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Abdurrahim Brajshori, Sabedin Haxhiu, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nurtene Brajshori, Sami Maqedonci si dhe dëshmitarët Faton Majanci dhe Mexhid Syla.

Ndryshe, dy seancat e mëparshme për këtë rast, janë mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan për shkaqe teknike, dhe janë mbajtur me dyer të mbyllura.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast bashk me Azem Sylën janë: Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahim Brajshori, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maçedonici, Ndue Palushi, Ramdan Mavraj, Lubisha Vujovic e Elheme Uka.

Për këta persona, Prokuroria pretendon se me qëllim të përfitimit kanë tjetërsuar tokat me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë.

Sipas aktakuzës, ata kanë korruptuar njerëz nga gjyqësori e zyrtarë komunal duke marrë vendime në bazë të të cilëve kanë falsifikuar dokumente me të cilat kanë shitur parcelat te palët e treta. Ata akuzohen se kanë kryer një mori veprash të ndryshme si: pastrim parash, krim i organizuar, mashtrim i rëndë, keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje të mitos, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal, të gjitha këto me qëllim të tjetërsimit të pronave shoqërore.

Për këtë rast për një kohë ka qenë në paraburgim Azem Syla kurse është liruar vetëm 20 ditë pas kalimit të lëndës nga Eulex-i te Prokuroria Speciale e Kosovës.

 

Monitoruar nga Rinon Arifi