Në Gjykatën Themelore të Prizrenit jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen në Brodosanë të Dragashit ndaj të akuzuarit Hasan Selimi, raporton Drejtësia Sot.
Në fjalën përfundimtare Prokurorja e Shtetit Ervehe Gashi deklaroi se të gjithë dëshmitarët të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre nuk kanë qenë dëshmitar okular të rastit. Po ashtu edhe deklarata e dhënë me rastin e mbrojtjes nga i akuzuari, vërehen shumë kundërthënie me deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori.
Në anën tjetër nga deklarata e dëshmitarëve vërehet se ka ekzistuar një mosmarrëveshje paraprake në mes të akuzuarit dhe të ndjerit Nazim Selimi dhe se motivi nuk është uji që ndodhet në bjeshkë.
Më tutje përfaqësuesi i palës së dëmtuar Avokati Tahir Recaj kërkoi nga gjykata të ndryshoj cilësimin juridik të veprës penale, nga ajo e vrasjes në atë të vrasjes së rëndë. Kjo për shkak se i akuzuari këtë vepër penale e ka kryer me dashje direkte, me paramendim dhe në rrethana të përgjegjësisë së plotë penale.
Gjithashtu, avokati Recaj theksoi se duke marr parasysh këto rrethana kërkoj nga trupi gjykues të shqiptoj aktgjykim dënues dhe ndaj tij të shqiptohet dënim meritor për këtë vepër penale.
Mbrojtësja e të akuzuarit Hasan Selimi, avokatja Kosovare Kelmendi theksoi që gjykata të mos i merr parasysh deklarimet e dëshmitarëve, pasi që qëllimi i tyre është përçarja brenda familjes Selimi. Gjithashtu ajo deklaroi se Prokuroria e Shtetit është dashur të tërhiqet nga aktakuza sepse asnjë nga provat e theksuara në të, nuk provon se i akuzuari Selimi ka kryer veprën penale.
Në fund, avokatja Kelmendi kërkoi nga gjykata që të merr vendim meritor për vrasjen aksidentale të të akuzuarit dhe të mos merr parasysh dashjen dhe motivin e paraqitur në aktakuzë, që në realitet nuk ekziston.
I akuzuari Hasan Selimi, duke u pajtuar me fjalën përfundimtare të mbrojtjes shtoi se xhaxhain tim nuk e kam vrarë. Duke u kthyer nga familja e viktimës ai tha se vrasja ka ndodhur aksidentalisht, un kam qëllu aty dhe se nuk kam pasur çfarë të bëjë.
Pas kësaj kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe morri vendim që aktgjykimi të shpallet me datën 12 shtator 2019 në ora 14:30.
Sipas aktakuzës me datë 7 korrik 2016 i akuzuari Hasan Selimi privon nga jeta personin tjetër ashtu që pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të viktimës Nazim Selimi dhe të pandehurit, pas fjalosjes në restorantin Hamburg në fshatin Brodosanë viktima Nazim Selimi ngritët nga tavolina dhe shkon në drejtim të automjetit të tij që ishte i parkuar te pompa e benzinës pranë restorantit.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Selimi niset në drejtim të njëjtë të viktimës dhe pasi që i afrohet automjetit që e kishte derën e çelur i pandehuri i pajisur me revolver “ Sauer-Sohn” me dashje shkrep njëherë në drejtim të viktimës që ishte i ulur në karrigen e vozitësit me ç’rast e godet viktimën në pjesën e përparme të qafës nga e cila plagë viktima vdes në vendin e ngjarjes me këtë i pandehuri akuzohet të ketë kryer veprën penale të vrasjes.
Gjithashtu i pandehuri akuzohet se me datë 7 korrik 2016 pikërisht në shtëpinë e tij gjatë bastisjes së policisë i është gjetur një pistoletë GALESI dhe një pistoletë me gaz “ Reck” dhe në automjetin xhip i është gjetur një revolver “ Sauer-Sohn” me të cilën e ka kryer veprën penale të vrasjes me këtë ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.
Monitorues Lorik KABASHI & Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus