Mbyllen dyert në rastin “Toka” ku po gjykohen Azem Syla dhe të tjerët

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

10:33 / 11 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Rasti i njohur “Toka”, në të cilin gjykohen ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe të tjerët, po procedohet prapa dyerve të mbyllura.

 

Gjyqtari i rastit Beqir Kalludra mbylljen e seancës nuk e ka arsyetuar me aktvendim të bazuar. I njejti ka dhënë vetëm urdhër që salla të lirohet nga të gjithë përveç palëve ndaj të cilëve po zhvillohet procedura.

 

Arsye për mbyllje u përmend vetëm dhënia e dëshmisë nga ana e njërit prej dëshmitarëve kryesor për të cilin as gjykata e prokuroria nuk e kanë të qartë nëse është dëshmitar i mbrojtur apo dëshmitar bashkëpunues.

 

Seanca e sotme ka qenë e caktuar të mbahet në Gjykatën Themelore në Gjilan, për shkak të kushteve më të mira teknike sepse i njejti do të merret në pyetje me video link.

 

Të akuzuar në këtë rast bashk me Azem Sylën janë: Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahim Brajshori, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maçedonici, Ndue Palushi, Ramdan Mavraj, Lubisha Vujovic e Elheme Uka. Të njejtit dyshohet se me qëllim të përfitimit kanë tjetërsuar tokat me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë. Sipas aktakuzës, ata kanë korruptuar njerëz nga gjyqësori e zyrtarë komunal duke marrë vendime në bazë të të cilëve kanë falsifikuar dokumente me të cilat kanë shitur parcelat te palët e treta.

 

Ata akuzohen për pastrim parash, krim i organizuar, mashtrim i rëndë, keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje të mitos, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal, të gjitha këto me qëllim të tjetërsimit të pronave shoqërore.

 

Për këtë rast për një kohë ka qenë në paraburgim Azem Syla kurse është liruar vetëm 20 ditë pas kalimit të lëndës nga Eulex-i te Prokuroria Speciale e Kosovës.

 

Monitoruese Ermirë Januzi dhe Ronita Halimi