Kardiologët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti janë paraqitur para gjykatës për herë të tretë gjatë këtij muaji për gjykimin e tyre, i cili po zhvillohet pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Shqyrtimi i sotëm ka vazhduar me dhënien e dëshmive të dëshmitarëve- të dëmtuarve, të cilët janë propozuar nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit e cila edhe e ka ngritur aktakuzën, e që tani e përfaqëson Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të dëshmuar lidhur me këtë çështje.
Pranë gjykatës për të dëshmuar ishin ftuar SH.H, M.H, dhe N.V , të cilët dhanë dëshminë në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Dëshmitarët deklaruan se janë të kënaqur me punën e mjekve dhe se nuk kanë asnjë vërejtje në punën e tyre. Sikurse shumica edhe dëshmitarët e sotëm thanë se ata kanë shkuar në spitalet private vetë dhe se mjekët nuk ju kanë propozuar ndonjë spital konkret për të shkuar. Të njëjtit po ashtu thanë se nuk ndihen fare të dëmtuar dhe nuk parashtruan kërkesë pasurore-juridike.
Lidhur me dëshminë e dëshmitarit N.V, i akuzuari G.B pati vërejtje sepse dëshmitari filloi të jepte dëshmi për ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2009, ndërsa aktakuza i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer vepër penale gjatë periudhës 2012-2014.
Vërejtje të shumta patën edhe të akuzuarit e tjerë së bashku me të mbrojturit e tij, duke fajësuar prokuroren se nuk e ka analizuar çështjen dhe thërret dëshmitarë që nuk kanë të bëjnë me këtë çështje.
Por përkundër vërejtjeve të akuzuarve dhe mbrojtësve, prokurorja Florie Shamolli nuk u tërhoq nga marrja në pyetje e këtij dëshmitari. Prokurorja tha se konsideron se deklarata e këtij dëshmitari ka shumë rëndësi, dhe nëse gjatë dhënies së deklaratës vëren se deklarata e tij nuk ka ndonjë relevancë me periudhën e përmendur në aktakuzë, ajo do të tërhiqet nga dëshmia e dëshmitarit N.V në fjalën përfundimtare.
N.V, ndryshe prej të tjerëve tha se ndihet i dëmtuar vetëm se mjekët në QKUK nuk i kanë vendosur stentat në spitalin shtetëror, përkundër se në atë kohë reparti i Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ka funksionuar, dhe se sipas tij Ministria e Shëndetësisë është dashur ta kompensojë për intervenimet që i ka pasur.
Seancat e radhës për këtë muaj janë caktuar të mbahen me datat 25 dhe 30 tetor 2019.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Monitoruar nga: Biondina ZENELI
Lajmet në fokus