Sot në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e dëgjimit të dëshmitarës Antigona Çitaku – Dibrani, e cila kishte për të dëshmuar lidhur me rastin e Fadil Surkishit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e kaluar avokati mbrojtës i të akuzuarit Visar Rrecaj, i kishte propozuar gjykatës që të dëgjohet dëshmitarja Antigona Çitaku- Dibrani.
Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti, ka bërë të ditur se avokati i të akuzuarit Visar Rrecaj me parashtresë i është drejtuar gjykatës dhe e ka njoftuar se dëshmitarja e cila është planifikuar të dëgjohet në seancen e sotme është në udhëtim zyrtar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fadil Surkishit, dyshohet se në vazhdimësi i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Surkishi dyshohet që në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.
Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal.
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus