Jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit për keqpërdorim me kartela bankare

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

11:37 / 24 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj A.M., i akuzuar për keqpërdorim me kartelave bankare të personave tjerë.

A.M. po akuzohet se kishte keqpërdorur kartelat bankare të personave të ndryshëm, në atë mënyrë që duke hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin kompjuterik, kishte arritur të merr identitetin e kartelave bankare e të cilat i ka vënë në përdorim dhe përmes tyre ka porositur online sende të ndryshme si: laptop, telefona, kompjuterë etj.

Pas konstatimit të pranisë së palëve në sallë, seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurores Besa Limani.

Prokurorja theksoi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor konsideron se është vërtetuar gjendja faktike se i pandehuri ka kryer veprën penale sipas aktakuzës së ndryshuar dhe plotësuar.

Sipas prokurorisë, kjo gjendje faktike është vërtetuar nga dëshmia e dëshmitarëve S.A. dhe V.P., hetues policor të këtij rasti, të cilët ishin njoftuar nga dogana e aeroportit të Prishtinës për një dërgesë të dyshimtë në emër të një personi pa adresë të saktë.

Më tutje, ajo tha se gjatë hetimeve të zhvilluar nga dy zyrtarët policorë, është vërtetuar se kjo dërgesë ka arritur në adresën e të pandehurit në fjalë dhe me rastin e kontrollit të pajisjeve elektronike në shtëpinë e tij janë gjetur prova tjera që vërtetojnë veprimet inkriminuese të tij.

Në fund të fjalës së saj, prokurorja Limani i propozoi gjykatës që të njejtin ta shpallë fajtor dhe t’a dënoi sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit A.M., avokati Lirim Perquku, tha se fjalën përfundimtare e ka përgaditur në formë të shkruar dhe kërkoi që e njejta të jetë pjesë e procesverbalit, duke mos e elaboruar në këtë seancë.

Në fund të seancës, gjyqtari i rastit, Naser Foniqi, njoftoi palët se akgjykimi për këtë rast do të shpallet me datë 25.09.2019.

Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, i akuzuari A.M akuzohet se prej kohës së pavërtetuar, në vazhdimësi, deri më datën 26 prill 2013, në bashkëkryerje më një person të panjohur ka keqpërdorur kartelat bankare të personave të ndryshëm, në atë mënyrë që paraprakisht e ka falsifikuar një letërnjoftim në emër të B.Th, e pastaj duke hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin kompjuterik ka arritur të merr identitetin e kartelave bankare e të cilat i ka vënë në përdorim, ashtu që përmes tyre ka porositur sende të ndryshme si: laptop, telefona, kompjuterë etj.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë, me këto veprime të të akuzuarit A.M u janë shkaktuar humbje të mëdha firmave të ndryshme, e me datën 26 prill 2013, Dogana e Kosovës ka vërejtur se disa porosi kanë arritur për pranues të dyshimtë dhe se pas hetimit nga ana e personave zyrtar konstatohet se pranuesi kundërligjor është i akuzuari A.M.

 

Me këto veprime, të akuzuarin A.M, i vihen në barrë veprat penale “keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kreditit” nga neni 307 par. 2 lidhur me par. 3 të KPRK-së, “Prodhimi, posedimi dhe tentativa e paautorizuar” neni 13 par.3 dhe Neni 15 par. 1 i Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik.

Monitoruar nga Rinon Arifi