Gratë e kthyera nga Siria: Merita Aliu dënohet me 2 vite e gjysmë burgim me kusht

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

11:44 / 03 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special është shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarën Merita  Aliu, për shkak të veprës penale bashkimi ose pjesëmarrja në policinë apo ushtrinë e huaj.

 

Për të akuzuarën Aliu, gjykata shqiptoi dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 2 vite e gjysmë me periudhë verifikimi në kohëzgjatje prej 3 viteve.

 

Gjithashtu për të njëjtën u shqiptua edhe dënimi plotësues urdhri për mbikëqyrje nga shërbimi sprovues si dhe vizitat e rregullta te psikologu.

 

Gjykata me rastin e matjes së dënimit ka marrë parasysh pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, pendimin për kryerjen e veprës penale si dhe faktin se është nënë vetushqyese.

 

Para shpalljes së aktgjykimit u mbajt edhe shqyrtimi fillestar për këtë çështje, ku gjatë seancës fillestare e akuzuara e pranoi fajësinë për veprën penale si dhe deklaroi se është penduar për këtë vepër dhe po të mund ta kthente kohën nuk do ta bënte të njëjtën gjë.

 

Lidhur me pranimin e fajësisë u pajtua edhe Prokurori Special Naim Abazi e po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Leonora Dervishi-Pacolli.

 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e pandehura Merita Aliu akuzohet se me datë 01.07.2015 ka kaluar pikën kufitare në Hanin e Elezit për të kaluar në Maqedoni e më pas ka vazhduar udhëtimin nga Turqia për në Siri me qëllim që tu bashkohet  grupeve terroriste ISIS dhe Al Nusra ku ka qëndruar deri me datë 10.12.2017.

 

Kujtojmë se në grupin e grave të kthyera nga Siria përveç Merita Aliu ishin edhe Valdete Tafaj, Remzije Qazimi-Nushi, Florinda Zeka-Zymeri, Ermira Sekiraqa, Aferdita Mulolli, Jehona Xhemshiti, Blerina Mulolli, Liridona Lutolli, Valmira Kelmendi, Meke Tafaj, Dafina Delija, Jetesa Lutfiu, Agnesa Zuzaku, Fatbardha Demolli, Gentiana Lutolli, Mimoza Tahiri, Shyhrete Tafaj, Venera Ademi, Vildane Ismaili, Melihate Alshiqi, Donika Selimi, Laura Iseni, Ajnishahe Abazi, Fikrije Lutfiu, Hykmete Kelmendi, Naxhije Seferaj-Hasani, Arlinda Abazi, Edona Berisha-Demolli, Qendresa Sfishta, Valbona Berisha Hasani dhe Blerina Mulolli.

 

Me  datën 19.04.2019, nga zona e konfliktit në Siri, janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

 

 

Biondina ZENELI dhe Liridon SALIHI