Në Gjykatën Themelore në Prizren, filloi shqyrtimi kryesor gjyqësor kundër të akuzuarve R.M. nga Dragashi, F.Sh. dhe A.R. nga Prizreni, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Drejtësia Sot”.
Të njëjtit po akuzohen se duke qenë pjesë e Komisionit për Ndarjen e Banesave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nuk i përmbushin detyrat e tyre, duke marrë vendim për ndarjen e banesave pa kryer verifikimin që kërkohet sipas ligjit dhe akteve nënligjore.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Metush Biraj, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk e ndiejnë vetën fajtor për veprën penale që i ngarkohet atyre sipas aktakuzës.
Tutje, në fjalën hyrëse, prokurori Biraj theksoi se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor, të cila janë propozuar në aktakuzë, do të provohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pastaj, i akuzuari R.M. përmes mbrojtësit të tij, avokat Esat Gutaj, deklaroi se edhe në fazat e mëhershme e ka kundërshtuar aktakuzën dhe provat e bashkëngjitura në të, pasi ajo është e pabazuar. Prandaj, kërkoi nga gjykata që pas administrimit të provave gjatë rrjedhës së shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarit R.M. të nxjerrë aktgjykim lirues.
I akuzuari F.Sh. nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokat Besim Koqinaj, deklaroi se nuk e ka kryer veprën penale sipas aktakuzës, pasi që ekzistojnë prova të mjaftueshme që e argumentojnë të kundërtën. Në këto rrethana, i njëjti theksoi që gjykata pas administrimit dhe vlerësimit të provave, F.Sh. ta liroj nga akuzat për kryerjen e veprës penale sipas aktakuzës.
Në vijim, i akuzuari A.R. me anë të mbrojtëses së saj, avokate Bahrie Besimi deklaroi se pas vlerësimit dhe administrimit të të gjitha provave, kjo Gjykatë do të vërtetoj se i akuzuari A.R. nuk e ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe në fund do të nxjerrë aktgjykim lirues, e në asnjë mënyrë aktgjykim dënues.
Tutje, ky shqyrtim gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve A.S. nga fshati Zhur në Prizren dhe T.B. nga Prizreni, që të dy aplikues për ndarje të banesave. Ndaj dëshmitarit A.S. Komisioni për Ndarjen e Banesave ka refuzuar kërkesën për dhënie në shfrytëzim të banesës. Ndërsa, ndaj dëshmitarit T.B., Komisioni në fjalë ka aprovuar aplikacionin e tij, duke i dhënë në shfrytëzim një banesë, si familje e dëshmorit.
Gjithashtu, si dëshmitar u dëgjuan edhe B.L. nga Prizreni dhe Y.G. nga Prizreni, që të dy kanë qenë anëtar në Komisionin për Ndarjen e Banesave. Më datë 6 shkurt 2019, Prokuroria Themelore në Prizren kishte marrë aktvendim për pushim të hetimeve kundër këtyre dy të dyshuarve, edhe pse Policia e Kosovës, DHKEK në Prizren më datë 10 tetor 2018 kishte parashtruar kallëzim penal edhe ndaj B.L dhe Y.G. Në arsyetim të këtij vendimi, kjo Prokurori thekson se në veprimet e tyre nuk janë formuar elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
Pasi që në këtë seancë gjyqësore ishin ftuar që të dëgjohen si dëshmitar edhe H.A. dhe Gj.M. të cilat nuk ishin të pranishme, shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj më datë 31 tetor 2019 në ora 10:00
Vlen të përmendet se sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 08.03.2019, të akuzuarit R. M., F. Sh. dhe A. R., duke qenë si persona zyrtar, nuk e kanë përmbushur detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që personit t’i sjellin përfitim pasuror apo tjetrit t’i shkaktojnë dëm me mosveprim.
Të akuzuarit kanë vepruar në atë mënyrë që duke qenë pjesë e Komisionit për Ndarjen e Banesave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nuk i përmbushin detyrat e tyre. Me këtë rast, ata nuk e kanë bërë verifikimin e kushteve të aplikuesve, sidomos të atyre nga radhët e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së UÇK-së. Kësisoj, më datë 30.12.2013, të akuzuarit kanë marrë vendim për shpalljen e listës përfundimtare të familjeve përfituese për shfrytëzim të banesave, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara sipas Ligjit dhe Udhëzimit Administrativ. Në këtë mënyrë, aplikuesit nga familjet e dëshmorëve përfitojnë 82 banesa, aplikuesit nga familjet luftës së UÇK-së përfitojnë 5 banesa, aplikuesit nga familjet e veteranëve të luftës përfitojnë 2 banesa dhe aplikuesit nga familjet skamnore përfitojnë vetëm 3 banesa.
Me këto veprime, të akuzuarit R. M., F. Sh. dhe A. R. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus