Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.Sh. dhe A.M., për shkak të falsifikimit dhe mashtrimit të bërë me dokumente zyrtare të trashëgimisë, theksohet në njoftimin për media të kësaj Prokurorie.
Ndaj M.Sh. i cili ka cilësinë e ofiqarit në Komunën e Mamushës dhe A.M., ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe Legalizimi i përmbajtjes së rreme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Drejtësia Sot”.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që dy të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.Sh., në cilësi të personit zyrtar, si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar nuk i shënon të dhënat e duhura.
Kështu, ai vepron në atë mënyrë që me datë 02.02.2016, e përpilon “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtarë bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.Sh. Ky dokument pastaj është përdorur si provë për trashëgimi te noteri.
Me këto veprime, i akuzuari M.Sh., ka kryer veprën penale Falsifikimi i dokumentit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i pandehuri A.M., vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
Ai ka vepruar në atë mënyrë që pas datës 02.02.2016, shkon në Zyrën e Noteres në Mamushë, e dorëzon “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë. Pas kësaj, Noteria sjell “Aktvendim Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.Sh.
Me këto veprime, i akuzuari A.M., ka kryer veprën penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus