Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj pesë të akuzuarve për shpërlarje parash

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

14:17 / 20 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj pesë të akuzuarve, N.H, E.C, SH.T, F.K dhe M.P të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

 

Shkak i shtyrjes së këtij shqyrtimi ishte mungesa e të akuzuarit E.C, të cilit gjykata i kishte dërguar ftesën për të marrë pjesë në seancë, mirëpo, sipas fletëkthesës i akuzuari nuk kishte shkuar që ta merr ftesën edhe pasi që dorëzuesi i kishte lënë njoftim.

 

Mbrojtësi i të akuzuarit F.K, avokati Leon Përlaskaj i propozoi gjykatës që të veçohet procedura për këtë të akuzuar sepse i njëjti qe disa herë përkundër ftesës nga gjykata nuk paraqitet në shqyrtim.

 

Propozimin e avokatit Përlaskaj nuk e aprovoi tani për tani gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj i cili tha se do të provojnë mënyra të tjera për të siguruar praninë e këtij të akuzuari në gjykatë, e nëse nuk ka mundësi që i njëjti të paraqitet pranë gjykatës atëherë do të marrin vendim për veçimin e procedurës për këtë të akuzuar.

 

Shqyrtimi fillestar u caktua për datën 09 tetor 2019 në orën 13:30.

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit për veprat penale pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

 

N.H akuzohet se nga viti 2006 deri në vitin 2014 në cilësinë e pronarit të firmës D.SH. “Bimi SHEPD” dhe i autorizuar në firmat “EDI” me pronar E.C, firmës “Rrufeje” me pronare SH.T, firmës “FISI” me pronar F.K dhe firmës “A&E” me pronar M.P duke ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, pasiqë veç kishte kryer veprat penale keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi së pari i ka deponiar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara e pastaj me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tyre i ka transferuar mjetet monetare jashtë territorit të Republikës së Kosovës në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vender tjera dhe atë në shumë prej 2,734.708.00 euro duke mos importuar fare mallra nga shtetet e lartshënuara.

 

Gjithashtu i njëjti gjatë periudhës 2006-2014 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për dikënd tjetër përmes përpilimit të dokumenteve të rreme ka shkelur ligjin e ATK-së dhe ligjet tjera në fuqi.

 

E akuzuara SH.T në periudhën kohore 2007-2014 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për dikënd tjetër përmes përpilimit të dokumenteve të rreme ka shkelur ligjin e ATK-së dhe ligjet tjera në fuqi duke lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente këto me përmbajtje të rreme edhe pse ka qenë e vetëdijshme se lëshimi i këtyre fakturave dhe dokumenteve është e ndaluar me ligjet në fuqi nga të cilat ka fituar provizion të kundërligjshëm prej 3% në vlerën e së cilës fakturë fiktive të lëshuar. Me këto veprime ka fituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 18,241.21 euro.

 

Sipas aktakuzës nga viti 2006 deri në 2014 të akuzuarit N.H, E.C, SH.T, F.K dhe M.P kanë bërë pagesa në vende të ndryshme të botës duke mos e importuar mallin nga ato shtete, e në këtë mënyrë kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me miliona euro.

 

 

Monitoruar nga : Biondina ZENELI dhe Blendë MJEKU