Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësor ndaj të akuzuarve N.B, B.B, A.B, S.B, P.B për shkak të veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Shkak i dështimit të kësaj seance, ka qenë mungesa e të akuzuarit P.B.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, i akuzuari P.B ishte ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.
Me këtë rast ndaj të akuzuarit P.B, gjykata merr aktvendim me të cilin caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Sipas aktakuzës së datës 10.06.2014, të pandehurit B.B, N.B, dhe S.B si kryesues të grupit në bashkëkryerje me të pandehurit A.B dhe P.B, si anëtarë të grupit në rr. “Garibaldi”, në kioskën e improvizuar për shitjen e gjërave ushqimore, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes dhe kanë ofruar për shitje substanca narkotike të llojit marihuanë.
Tutje thuhet se me rastin e bastisjes së banesës së të pandehurit S.B, nga ana e Policisë janë gjetur 160 qese të vogla, të mbushura, të gatshme për shitje, me përmbajtje kanabis (marihuanë), që përmban tetrahidrokanabinol, me peshë të përgjithshme prej 240.61 gram.
Në pikën dy të aktakuzës thuhet se të pandehurit S.B, B.B, dhe N.B, si kryesues të grupit në bashkëkryerje kanë organizuar, drejtuar dhe financuar të pandehurit P.B dhe A.B, për shitjen e substancave narkotike, me përmbajtje kanabis (marihuanë) që përmban tetrahidrokanabinol, të vendosur në qese të vogla të plastikës, secila në vlerë prej 5 (pesë) euro.
Me këto veprime kanë kryer veprën penale Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope.
Seanca e radhës është caktuar për datë 18.10.2019.
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus