Mungesa e avokatit Qerim Metaj, i cili në këtë çështje penale mbronë të akuzuarin Gazmend Gashi është bërë shkak të dështoj seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla dhe të tjerëve, të akuzuar në rastin e njohur “Toka”.
Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, njoftoi të pranishmit në seancë se dje, para përfundimit të orarit, ka pranuar një shkresë me anë të së cilës është njoftuar se avokati i lartëcekur, për shkak të gjendjes shëndetësore e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë.
Pasiqë në këtë rast mbrojtja është e detyrueshme, i pandehuri, për shkak të kohës së shkurtë, nuk ka pasur mundësi të gjejë mbrojtës të ri.
Gjyqtari njoftoi poashtu se seanca e radhës e datës 11 shtator 2019, do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore Gjilan. Kjo për shkak se dëshmitari bashkëpunues Fatmir Prapashtica do të dëgjohet me video link. Objekti i gjykatës në Prishtinë nuk i plotëson kushtet teknike.
Të akuzuar në këtë rast bashkë me Azem Sylën janë Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahim Brajshori, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maçedonici, Ndue Palushi, Ramdan Mavraj, Lubisha Vujovic e Elheme Uka. Të njejtit dyshohet se me qëllim të përfitimit kanë tjetërsuar tokat me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë. Sipas aktakuzës, ata kanë korruptuar njerëz nga gjyqësori e zyrtarë komunal duke marrë vendime në bazë të të cilëve kanë falsifikuar dokumente me të cilat kanë shitur parcelat te palët e treta.
Ata akuzohen për pastrim parash, krim i organizuar, mashtrim i rëndë, keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje të mitos, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal, të gjitha këto me qëllim të tjetërsimit të pronave shoqërore.
Për këtë rast për një kohë ka qenë në paraburgim Azem Syla kurse është liruar vetëm 20 ditë pas kalimit të lëndës nga Eulex-i te Prokuroria Speciale e Kosovës.
Monitoruese Ermirë Januzi dhe Rinon Arifi
Lajmet në fokus