Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

13:31 / 17 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Agron Kelmendi, Qazim Muriqi dhe Ramiz Muriqi, qytetarë të komunës së Pejës, të cilët pretendohet se kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar”, “Mashtrim”, “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, “Kanosja” dhe “Shkelja e besimit”.

Arsyeja për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e avokatit Bejtë Lajҫi, i cili është i angazhuar në mbrojtjen e të pandehurit Agron Kelmendi. Për këtë, gjyqtarja Valbona Selimaj theksoi se nga ana e këtij avokati kemi pranuar një parashtresë më anë të së cilës ka njoftuar që e ka të pamundur që sot të jetë në këtë gjykim për shkak të angazhimeve në raste të tjera.

Prandaj, si kohë për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar u caktua data 04.10.2019 nga ora 10:00.

Kujtojmë që kjo lëndë ka qenë në kompetencën e Gjykatës Themelore të Pejës, mirëpo pas funksionalizimit të Departamentit Special, e njejta është bartur për gjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Aktakuza kundër këtyre të pandehurve ishte ngritur nga prokurori i Eulexit, mirëpo e njejta me kërkesën e Gjykatës Themelore në Pejë, ishte ndryshuar dhe plotësuar nga prokurori Atdhe Dema dhe si e tillë ishte dorëzuar pranë kësaj gjykate më datë 31.10.2018.

Sipas gjyqtares, në momentin e bartjës së kësaj lëndë në Prishtinë, në shkresat e lëndës nuk figuron edhe versioni i fundit i aktakuzës së përmirësuar prandaj, u kërkua nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që palët ndërgjyqëse t’i pajis edhe më këtë dokument.

Akti akuzues përshkruan veprimet inkriminuese me të cilat të pandehurit në bashkëkryerje  por edhe veҫ e veҫ, kanë kryer veprat penale që i’u vihen në barrë. Këto veprime kanë të bëjnë më shitjen përkatësisht bartjen e pronës dhe parcelave tokësore nga një person te tjetri përmes përfaqësimit të rrëmë.

Këto parcela të shitura janë legalizuar nga noterët dhe gjykatat në Klinë e Gjakovë, e të njejtat janë mbështetur në prova të cilat të pandehurit i kanë përdorur për t’i mashtruar organet kompetente.

Lidhur me këto veprime, PSRK, me datë 4 prill 2014 kishte nxjerrur aktvendim për fillim të hetimeve ndaj të pandehurve dhe më datë 16 mars 2015 dhe 6 korrik 2016, aktvendim për zgjerim të hetimeve, ku me provat e siguruara, e njëjta ngrit aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, më datë 03.03.2017.

Monitorues Liridon SALIHI