Dëshmojnë dëshmitarët, në çështjen penale ndaj ish Kryetarit të LDK-së në Ferizaj, Faik Grainca, për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga

17:23 / 11 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka vazhduar seanca ndaj Faik Graincës i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe ndaj Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi të akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Në këtë seancë dëshminë e tij e dha Brahim Musliu, ish nënpunës komunal në sektorin për mirëqenie sociale dhe shëndetësi, i cili tha se gjatë mbledhjeve të komisioneve për hartimin e planit zhvillimor nuk është shqyrtuar asnjëherë peticioni për të cilin bëhet fjalë.

“Për peticionin nga banorët e rrugës “Astrit Bytyqi” jam informuar nga organet policore pasi që nuk është shqyrtuar asnjëherë në mbledhjet e komisionit”. Theksoi se raportin përfundimtar zhvillimor, që ishte dërguar në kuvend komunal për aprovim, i kishte lexuar vetëm të dhënat që kishin të bënin me sektorin e tij, për të cilin ishte përgjegjës ndërsa për sektorët tjerë nuk i kishte lexuar.

Ai pranoi se ishte ftuar nga Skënder Baftiu, për të nënshkruar një raport dhe të njëjtin e kishte nënshkruar mirëpo theksoi se dokumentin që e ka nënshkruar ka qenë raport për plan zhvillimor e jo diçka tjetër.

“Po, më ka thirr për nënshkrimin e raportit të planit zhvillimor dhe të njëjtin e kam nënshkruar. E dij që ka qenë raport për plan zhvillimor, e jo dokument për refuzim të peticionit të banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi” siç po pretendojnë të dëmtuarit. Poashtu nuk kam qenë në dijeni që Ministria nuk e ka aprovuar raportin dhe e ka kthyer në rishqyrtim”, tha Musliu.

Në fund dëshmitari tha se ish Drejtori i Ubranizmit Faik Grainca, nuk i ka thënë asnjëherë që të ndërmerrë apo të mos ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar.

Në këtë seancë, dëshminë e tij e dha edhe Arben Ramadani, emri i të cilit është gjendur si nënshkrues pro ndërtimit të lartë në rrugën “Astrit Bytyqi”, tha se peticionin për të cilin po flitet, nuk e ka nënshkruar asnjëherë dhe nuk e ka parë asnjëherë.

“Nuk e kam parë asnjëherë këtë peticion dhe nuk e kam nënshkruar personalisht, se si ka ardh deri te nënshkrimi i këtij peticioni, po supozoj se familjarët e mi e kanë nënshkruar ose dikush i ka të gjitha informatat e mija”, shtoi Ramadani.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, pala e dëmtuar propozoi si dëshmitar edhe Faruk Lipovicën, Fidan Imeri, Nexhmedin Azizi, Lumnije Rexhepi, Bajram Raçi, Shefkije Raçi Muraldina Raçi, Nezir Bucaliu, Granit Gashi, Diellza Gashi, Afërdita Gashi, për të cilët mbrojtja tha se e kanë nënshkruar peticionin për ndërrimin e destinimit në ndërtim të lartë, të rrugës “Astrit Bytyqi”, mirëpo mbrojtja dyshon se këta persona jetojnë në këtë rrugë ose dyshojn se nuk kanë nënshkruar fare.

Përderisa i akuzuari Grainca, propozoi që në seancë të ftohen të gjithë personat që kanë nënshkruar peticionin kundër ndërrimit të destinimit në ndërtim të lartë, në mënyrë që të verifikohen se a e kanë nënshkruar peticionin me dorë të vetë.

Kryetari i trupit gjykes Sahit Krasniqi, aprovoi propozimin e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara që të dëgjohen vetëm Faruk Lipovica dhe Fidan Imeri ndërsa refuzoi propozimin që të dëgjohen palët e tjera të propozuara nga ai dhe të dëmtuarit.

Sa i përket propozimit të të akuzuarit që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen nënshkruesit e peticionit të cilët janë deklaruar kundër ndërtimit të lartë, Kryetari i trupit gjykues refuzoi të njëjtin propozim.

Paraprakisht në seancë, para fillimit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Prokurori i Shtetit Burim Qerkini u tërhoq nga dëgjimi i dëshmitarit Ekrem Hoxha – zyrtar policor, i propozuar nga ana e Prokurorisë, me arsyetimin se i njëjti i ka paraqitur të gjitha raportet zyrtare në fazën e hetimeve, e të cilat janë propozuar si prova materiale dhe dëgjimi i tij si dëshmitar nuk është e domosdoshme në zbardhjen e çështjes.

Kryetari i trupit gjykues, shpalli shqyrtimin të përfunduar dhe seancat e rradhës i caktoi me datë 10 dhe 11 Tetor 2019.

Ish Kryetari nga rradhët e LDK-së në Ferizaj Faik Grainca, akuzohet se gjatë kohës si drejtor i urbanizmit në Komunën e Ferizajit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos i verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve, të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara, ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi” të bëhet banim kolektiv.

Të akuzuar në këtë çështje janë edhe Izer Ramadani e Arben Kurtishi, të cilët akuzohen se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime  nga banorët e lagjeve tjera, me qëllim që të njëjtat të i përdorin si origjinal, kinse banorës e rrugës “Astrit Bytyqi” kanë dhënë pëlqimit që kjo zonë të bëhet banim kolektiv.

Monitorues: Mentor Buzhala