Deklarohen të pafajshëm zyrtarët e lartë të Komunës së Prishtinës për shpronësim të paligjshëm

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

11:51 / 19 Shtator 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tre të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e së enjtës, tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Visar Hysen Berisha, (i lindur më 1978), Shemsedin Islam Thaqi, (i lindur më 1969) dhe Fitore Zahir Byqmeti, (e lindur më 1972), akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se në cilësinë e personit zyrtar, së bashku kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat me qëllim që tjetrit t’i shkaktojnë dëm.

Këtë e kanë kryer duke vënë nënshkrimet e tyre në parashtresën e datës 28.10.2014, të përpiluar nga Fitore Zahir Byqmeti – Zyrtare e lartë për pronësim dhe shpronësim në Drejtorinë e Financave dhe të Pronës së Komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës së datës 15.11.2018, thuhet se i akuzuari Visar Hysen Berisha, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Financave dhe Pronës dhe Shemsedin Islam Thaqi – Shef i sektorit të pronës në këtë Drejtori, kanë shprehur pajtimin e përbashkët me Fitore Zahir Byqmeti që të kërkohet depozitimi i mjeteve financiare në xhirollogarinë e mirëbesimit në Bankën Qendrore të Kosovës në emër të Komunës së Prishtinës për kompenzimin e parcelës kadastrale.

Poashtu me nënshkrimet e tyre kanë shprehur pajtimin e plotë e të përbashkët që të bëhet edhe regjistrimi në operatin kadastral të pjesëve të parcelave kadastrale.

Tutje thuhet se, me Vendimet e kësaj Komune ishte miratuar shpronësimi i parcelave sipas Listave të bashkangjitura me këto vendime,  për arritjen e qëllimit dhe përfitimit të ligjshëm publik, që sipas Planit Rregullues “Mati 1”, ishte paraparë që realizimi i projektit të ndërtimit të rrugës “Enver Maloku-Faza 2”, edhe pse parcelat e tilla sipas dokumentacionit kadastral nuk kanë qenë pronë shoqërore por pronë privat e të dëmtuarve Emine Rrustemaj, Naim Rrustemit dhe Ilir Rrustemit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, tre të pandehurit nuk kanë respektuar Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme duke prekur kështu të drejtat pronësore të këtyre të dëmtuarve, pasi që vendimet e shpronësimit janë zbatuar para se të plotësohen kushtet ligjore.

Kjo pasiqë paraprakisht nuk ishte bërë pagesa e plotë e shpronësimeve si kusht për ndryshimet e mëvonshme kadastrale për bartjen e pronës por janë deponuar 370 mijë euro nga Komuna e Prishtinës në xhirollogarinë e mirëbesimit në emër të të dëmtuarve në Bankën Qëndrore të Kosovës, ku nuk është llogaritur edhe interesi prej 7 % e cila përqindje arrin rreth 50 mijë euro.

Monitoruar nga Zanë BUÇINCA dhe Rinon ARIFI