Është mabjtur shqyrtimi gjyqësor në rastin “Stenta 2” ndaj 40 kardiologëve të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Personat të cilët dhanë dëshminë në shqyrtimin e sotëm e të cilët e kishin edhe cilësinë e të dëmtuarve, hoqën dorë nga kërkesa pasurore juridike duke mos ndierë veten të dëmtuar nga rasti. Thanë se kanë shkuar me vetëdëshirë në spitalet private të cilat i kanë zgjedhur vet, kjo për shkak se në atë kohë reparti i kardiologjisë invazive nuk funksiononte.
Dëshmitarët po ashtu edhe lavdëruan punën e kardiologëve duke shtuar se të njëjtit nuk iu kishin imponuar shkuarjen në ndonjë nga spitalet private, mirëpo, ata vetëm sa iu kanë ndihmuar në rekomandimin e spitaleve se ku mund të bëhet koronografia apo stentimi.
Në shqyrtimin e sotëm dhanë dëshminë tre dëshmitarë nga pesë të cilët ishin ftuar për ta dhënë dëshminë e tyre pranë gjykatës. Njëri nga dëshmitarët Bujar Dragaj përkundër ftesës për tu paraqitur në gjykatë mungoi, ndërsa dëshmitari tjetër Shaban Shala u paraqit në shqyrtimin gjyqësor, mirëpo, i njëjti u largua pa leje me arsyetimin se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se i njëjti do të paraqitet në seancën e radhës e cila do të mbahet nesër me datë 10 shtator 2019.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shadije Gërguri tha se do të provohet përsëri që të ftohet dëshmitari Dragaj e nëse i njëjti përsëri nuk paraqitet do të lëshojë urdhëresë për shoqërim me detyrim.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor avokati Arianit Koci tha se ky shqyrtim po vazhdon në kundërshtim me Ligjin e ri për Gjykatat, sepse sipas tij sipas neni 42 par. 3 të këtij ligji gjyqtarët e Departamentit Special mund të angazhohen në Departamentin për Krime të Rënda por nuk mund të ndodh e kundërta meqë kjo lëndë është e Prokurorisë Speciale duhet kjo lëndë të gjykohet nga Departamenti Special.
Mirëpo për vërejtjen e avokatit Koci, trupi gjykues mori vendim se ky trup gjykues mund të vazhdojë të gjykojë në këtë çështje sepse në bazë të nenin 42 par. 4 është e precizuar se për lëndët që është mbajtur shqyrtimi fillestar do të vazhdohet me po atë trup gjykues dhe në bazë të kësaj do të mbetet trupi gjykues aktual.
Përveç deklaratave pati edhe propozime nga i akuzuari Gani Bajraktari i cili tha se pavarësisht që nuk është fare i implikuar me dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, mirëpo, meqë akuzohen se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit dhe xhepin e qytetarit, propozoi që gjykata ta verifikoj ditën kritike kur njëri nga dëshmitarët e kishte dërguar babain e tij në spital dhe iu kanë vendosur stentat se a ka pasur në atë kohë stenta dhe a ka punuar në po atë kohë kardiologjia invazive. Propozimi tjetër i po këtij të akuzuari ishte se meqë dëshmitari kishte thënë se nuk është dashur të vendosen stenta por bypass, e në rastin konkret kishte ndodhur e kundërta ku në spitalin “EDA” iu kishin vendosur stenta e jo bypass të bëhet ekspertizë nëse te pacienti është bërë një gabim profesional, respektivisht të bëhet një ekspertizë për indikacionin e stentimit të pacientit në fjalë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Monitoruese: Biondina ZENELI dhe Ermirë JANUZI
Lajmet në fokus