Sot në gjykatën e Apelit në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit të ankesave kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në çështjen penale ndaj të pandehurit H.S për veprën penale “Sulmi”.
Ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka parashtruar mbrojtësi i të pandehurit avokat Asdren Hoxha dhe atë sa i përket vendimit lidhur me dënimin dhe njëherit duke e konsideruar skandaloz dënimin në kohëzgjatje prej 7 vite dhe 5 muaj.
Hoxha në seancën e sotme, ka thënë se me rastin e leximit të aktgjykimit, përkatësisht të dispozitave ligjore ka vërejtur që gjykata ka zbatuar dispozita që nuk kanë të bëjnë me Kodin Penal në fuqi të Republikës së Kosovës dhe atë lidhur me nenet 42,45,73,74,80 dhe 83.
Hoxha njëherit ka sqaruar se nëse shohim Kodin Penal, neni 41 rregullon dënimin me burgim të përjetshëm, neni 45 rregullon zëvendësimin e dënimit me burgim me urdhërin për punë në dobi të përgjithshme, neni 73 rregullon lirimin nga dënimi, neni 74 bazat e posaqme të lirimit nga dënimi, neni 80 rregulloj llogaritjen e paraburgimit dhe e dënimeve të mbajtura dhe neni 83 masat e trajtimit të detyrueshëm.
Hoxha ka thënë se asnjëra prej dispozitave të cekura në aktgjykim nuk e rregullon çështjen në fjalë.
Poashtu edhe e dëmtuara K.B, ka kërkuar nga gjykata zbutjen e dënimit për të pandehurin H.B.
Duhet theksuar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm pas mbajtjes së shqyrtimit filllestar me datë 01.07.2019, kishte shpallur fajtor të pandehurin H.S dhe i kishte shqiptuar dënimin unik me burgim me kohëzgjatje prej 7 vite e 5 muaj.
I pandehuri për veprën penale “Sulmi” u dënua me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 3 vite, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” u dënua me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 4 vite, dhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, u dënua me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 10 muajsh.
Sipas gjyqtares Fatime Dërmaku, të pandehurit i vazhdohet paraburgimi me aktvendim të veçantë deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.
Ndërsa e dëmtuara K.B lidhur me kërkesën pasurore juridike ishte udhëzuar në kontest juridiko-civil.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Drejtësia Sot, i pandehuri H.S akuzohej për këto vepra penale “Sulmi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Aktakuza e datës 20.06.2019, përshkruan se me datën 23.03.2019, në parkun e Gërmisë në Prishtinë, pas një fjalosje me ish-bashkëshorten e tij, K.B, lidhur me vajzën e tyre të përbashkët, e ka sulmuar tani të dëmtuarën duke e goditur me boks në fytyrë dhe shpinë.
Në të njejtën ditë kritike iu është gjetur edhe një revole, një karikator dhe 4 fishekë, që i ka poseduar pa autorizim.
Poashtu, i pandehuri akuzohet që pas disa ofendimeve i ka shkaktuar edhe lëndim të lehtë trupor K.J, derisa ai ishte në vendin e tij të punës.
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA dhe Nita KUSARI
Lajmet në fokus