Gjykata Themelore në Pejë, ka mbajtur shqyrtimin gjyqësor ndaj Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi, Norik Hashani, Leutrim Bajselmani, të akuzuar për veprën penale të “Grabitjes”.
Besfort Kabashi, i akuzuar për dy vepra penale atë të grabitjes dhe armëmbajtje pa leje, deklaroi se pranon fajësinë vetëm për veprën armëmbajtje pa leje e jo edhe për grabitje. Edhe i akuzuari Fatlum Bytyqi, deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor dhe nuk e pranon fajësinë.
Ndryshe dy të akuzuarit tjerë Norik Hashani dhe Leutrim Bajselmani, deklaruan se njejtë si në shqyrtimin fillestar edhe sot e pranojnë fajësinë për veprën penale që iu ngarkohet.
Kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, mori aktvendim për mos pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, dhe shtoi se shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj me procedurën e provave.
Pas fjalës hyrëse të palëve në procedurë, u dëgjuan të dëmtuarit Albiona Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj, deklaruan se mbesin në tërësi pranë deklarimeve të tyre në polici dhe prokurori.
Të njëjtit, pas pyetjes së prokurores Valbona Disha Haxhosaj, lidhur me identifikimin e kryesve të grabitjes, të dëmtuarit arritën të identifikojnë të akuzuarin Leutrim Bajselmani, si grabitës në ditën kritike.
Sipas aktakuzës së ngritur në mars të vitit 2019, thuhet se të akuzuarit në parkingun e Qendrës Tregtare “Viva Fresh “, në Deçan, duke vepruar si anëtar të grupit dhe më përdorim të revoles kanë sulmuar jetën dhe trupin e të dëmtuarës Albiona Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj, nga Deçani. Me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme në shumë prej 8.543.67, euro.
Më tutje aktakuza i sqaron veprimet e të akuzuarve, ku të njëjtit në momentin kur e dëmtuara Albiona dhe i dëmtuari Valon dalin nga “Viva Fresh”, me qëllim te dërgimit të pazari të “Viva Freshit”, për në bankë të akuzuarit bashkërisht nën kërcenim të armës i marrin çante nga krahu të dëmtuarës, në të cilën çante gjendej edhe shuma e lartcekur. Me çka kanë kryer veprën penale te “Grabitjes”.
Ndërsa vlen të ceket se për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, akuzohet vetëm Besfort Kabashi.
Monitoruese: Selvije MORINA, Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus