Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është shtyrë seanca dëgjimore ndaj të pandehurve Dëfrim Balaj, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu dhe Selim Rrustemi, ekzaminerë në Ministrinë e Infrastrukturës të cilët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.
Prokurori i shtetit kishte bërë kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për tu afruar vendit apo personit të caktuar të pandehurve në fjalë.
Mirëpo, seanca e sotme është shtyrë për shkak të mungesës së të pandehurit Besfort Pozhegu dhe mbrojtësit të tij avokatit Besnik Berisha.
Sipas gjyqtarit të çështjes, Kujtim Krasniqi, avokati Berisha ishte konktaktuar përmes telefonit për mbajtjen e seancës dëgjimore, mirëpo, i njëjti nuk prezantoi në seancë dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Për shkak të mungesës së palëve, gjyqtari konsideroi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance andaj e njëjta u shty për datën 26 gusht në orën 10:00.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të pandehurit dyshohet se gjatë muajve maj-qershor-korrik 2019 të gjithë në pozitën e ekzaminerit, duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ju kanë mundësuar kandidatëve të caktuar plotësimin e testeve teorike dhe kanë ndërhyrë në testet e kandidatëve me qëllim që të njëjtit të kenë pikët e mjaftueshme për të kaluar testin për patente shoferë.
Në kërkesën e prokurorisë, kërkohet nga gjykata që të përcaktojë largësinë përkatëse nga të gjitha objektet e qendrave apo njësive për patentë shoferë në territorin e Republikës së Kosovë, të cilën të pandehurit duhet ta respektojnë dhe nuk duhet ta kalojnë me qëllim.
Gjithnjë sipas prokurorisë, arsye se pse të pandehurve duhet tu caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar është fakti se me një masë të tillë dukshëm do të lehtësoheshin veprimet hetimore ndaj të pandehurve.
Biondina ZENELI dhe Liridon SALIHI
Lajmet në fokus