Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për shitje të “heroinës”

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

15:46 / 23 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit K.H për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, dyshohet se me 22 gusht 2019 në rrugën Gjilan-Ferizaj, i dyshuari paautorizim me qëllim të shitjes ka poseduar substancë narkotike të llojit “heroinë”. I dyshuari kishte hipur në autobusin e linjes Ferizaj-Gjilan në fshatin Pozheran, dhe pasi pjesetarët e Policisë së Kosovës kishin dyshuar se i njejti mund të posedojë substanca narkotike e kanë përcjellur autobusin në fjalë, dhe pas ndaljes në Stacionin e Autobusave në Gjilan në dorën e majtë të dyshuarit i janë gjetur dy paketime substancë narkotike të llojit “heroinë” në peshë totale prej 15.2 gram, të cilën policia e kanë sekuestruar.

Kjo kërkesë e Prokurorisë është shqyrtuar të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton Drejtësia sot.

Prokurori Isuf Sadiku, ka thënë se Prokuroria këtë kërkesë e paraqet pasi që ka ardhur në përfundim se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase ekziston rreziku që i dyshuari të ikë. Prokurori Sadiku mbështeti kërkesën e tij me faktin se te i dyshuari është gjetur një sasi e konsiderueshme e narkotikut dhe ndaj të njejtit janë duke u zhvilluar procedura për vepra të ndryshme penale.

Për më tepër, Sadiku tha se duke marrë parasysh peshën e kësaj vepre penale dhe se për të njejtën parashihet dënimi me burg deri në 8 vite, konsideron se vetëm masa e paraburgimit do të ishte efektive për sigurimin e pranisë së të dyshuarit në procedurë penale dhe pengimin e recidivizmit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Begzad Sinani e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë. Avokati Sinani theksoi se i dyshuari
K.H nuk kishte pasur qëllim shitjen e narkotikut por vetëm përdorimin e tij. Një gjë të tillë e pranoi edhe i dyshuari gjatë seancës së sotme dëgjimore ku tha se është përdorues i narkotikëve.

Gjyqtari i procedurës paraprake Naser Maliqi, njoftoi palët se aktvendimi për këtë rast do të merret brenda afatit të arsyeshëm ligjor.

Monitorues: Ronita Halimi dhe Vullnet Bugaqku