Prokuroria kërkon nga Apeli dënim me burgim ndaj të akuzuarit për Vjedhje në Dubai

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

14:35 / 02 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata e Apelit e Kosovës, të premten, ka mbajtur seancë për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Agron Rehfeldt.

Përmes kësaj ankese, kjo prokurori po kërkon nga Apeli që të akuzuarit Rehfeldt t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me datë 30.04.2019, pas shqyrtimit fillestar, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vjedhje të arit në Dubai, dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim prej një viti, dënim ky që nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari nuk përsërit vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 viteve.

Ky dënim kishte ardhur si rezultat i pranimit të fajësisë nga i akuzuari, dhe gjykata e shkallës së parë kishte konsideruar se dënimi me burgim me kusht ishte i mjaftueshëm për tu arritur qëllimi i tij.

Ndryshe nga kjo, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes ankesës së drejtuar Apelit, ka kërkuar që dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë të zëvendësohet me dënim me burgim efektiv, pasi që dënimi me kusht nuk i përshtatet shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer.

Meqenëse në këtë seancë nuk përfaqësoi askush nga Prokuroria, fjalën e morri mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ali Beka, i cili theksoi se ky dënim i përshtatet veprës penale të kryer, duke marrë parasysh se i mbrojturi i tij që nga momenti i fillimit të gjykimit ka pranuar fajësinë.

Më tutje, avokati Beka potencoi se kjo vepër penale është kryer para rreth tetë viteve, dhe që nga ajo kohë i mbrojturi i tij nuk ka përsëritur vepër tjetër penale.

Në aktgjykimin e siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, thuhet se gjykata e ka shpallur fajtor të akuzuarin, Agron Rehfeldt, për shkak se i njejti me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të sendeve të huaja, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thyer një dyqan të stolive, duke vjedhur kështu një sasi prej rreth dy kilogramë të stolive të arit.

Më saktësisht sqarohet se Rehfeldt, pas marrveshjes paraprake me Riad Nishevcin, me datë 05.07.2011, pas mesnatës, fillimisht kanë arritur të futen në katin e sipërm e pastaj në katin përdhes të dyqanit ku edhe ndodheshin stolitë e vjedhura, te cilat pasi që i kanë marrë, i kanë groposur në një lokacion tjetër, e pastaj kanë ikur në Kosovë.

Në fund të seancë, kryetari i kolegjit të gjyqtarëve, Gani Zabeli, njoftoi palët se vendimin do ta pranojnë në formë të shkruar brenda afateve te përcaktuara ligjore.

Monitorues: Rinon Arifi dhe Liridon Salihi