Përfaqësuesi i të dëmtuarit kërkon përjashtimin e Prokurorit të çështjes, ndërpritet seanca në rastin e vrasjes së rëndë në Ferizaj

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga

03:44 / 09 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

FERIZAJ – Ka vazhduar seanca, ndaj të akuzuarit për veprat penale vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve Albert Ramadani, e cila ishte ndërprerë dje me datë 07 Gusht, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të njërit nga të akuzuarit.

Të akuzuar në këtë çështje penale janë dhe Fadil Ramadani, Artan Ramadani, Argjend Ramadani për shkak të veprës penale pjesëmarrje në rrahje, secili veç e veç dhe Driton Krasniqi për shkak të veprave penale pjesëmarrje në rrahje dhe mashtrim.

Seanca vazhdoi, me dëgjimin e dëshmitarit Burim Ahmeti, i cili tha se të dëmtuarit dhe të akuzuarit i njeh personalisht, pasi që ka pasur raporte biznesore me ta.

I njëjti deklaroi se për ditën kritike nuk dij diqka konkrete, vetëm ishte informuar për vrasjen, shtoi se ditën kritike kishte biseduar me të ndjerin, për çështje biznesore.

“Për ditën kur ka ndodh ngjarja, nuk kam ndonjë informatë, e kam marrë vesh nga shokët që e kanë vrarë Besartin, atë ditë kemi bisedu me të disa herë, për shkak se kemi qenë shokë, me sa më kujtohet më kishte pyetur rreth disa veturave”.

I pyetur rreth veturës, për të cilën kishte ndodhur mosmarrëveshja mes tyre, dëshmitari tha se kishte qenë i pranishëm, kur atë veturë i akuzuari Albert, ia kishte shitur Driton Krasniqit dhe të ndjerit Besart Hasanit.

“Kam qenë i pranishëm, në shitblerjen e veturës, në Autosallonin “Aldioni”, kur i akuzuari Albert, ia kishte shitur veturën Dritonit dhe të ndjerit Besart. Kontrata ka qenë verbale, e njëjta ishte lidhur më herët në lokalin e familjes Ramadani”. Shtoi se të njejtën veturë, i ndjeri Besart ia kishte shitur pas një kohe, Autosallonit “Trimi”.
Më pas në seancë, dëshmoi dëshmitari Bekim Salihu, i cili tha se të dëmtuarit dhe të akuzuarit i njeh personalisht dhe me ta ka raporte biznesore.

“I kam njohur edhe para se të ndodh rasti, me ta kam raporte biznesore, për shkak se një kohë jam marrë me shitblerje të veturave, e nganjëherë kemi kryer shitblerje edhe me ta”. Ai poashtu shtoi se ka qenë në dijeni që i akuzuari Albert, ia kishte shitur veturën Dritonit e të ndjerit Besart mirëpo nuk e din se kujt ia ka shitur saktësisht.

Ai deklaroi se ditën kritike, ishin takuar me të ndjerin në mbrëmje, për të biseduar për një problem me një veturë.
“Shkova në restaurant “Aniki”, ku ka qenë i ndjeri Besart, me të pandehurin Albert dhe me Dritonin, i thash të dal jashtë, për shkak se kisha për të biseduar diqka, rreth një problemi për një veturë”.

Dëshmitari shtoi se përderisa ishin duke biseduar me të ndjerin në veturë, i njëjti doli me vrap nga vetura dhe shkoi në drejtim të lokalit, për shkak se të pandehurit Ramadani, kanë qenë duke e sulmuar fizikisht Driton Krasniqin.

“Besarti hyri në lokal dhe e qetësoi situatën, e më pas dolën jashtë, kur papritmas filluan që të përleshen fizikisht. E pash Besartin të ikte, e më pas edhe unë hypa në veturë dhe u largova. Me tu nisur me veturë, kam dëgjuar një krismë, nuk kam mundur të vërej se kush ka shkrepur me armë dhe nuk kam parë më asgjë”.

Përfaqësuesi i të dëmtuarës avokat Ramiz Krasniqi, i propozoi Gjykatës që të ndërprejë seancën, për shkak se janë afër përfundimit të orarit të punës, propozim ky që u kundërshtua nga Prokurori i Shtetit Rasim Maloku, me arsyetimin se ky propozim ka për qëllim, që të ndikohet në dëshmitarë, shtoi se ka ende kohë që të merret në pyetje dëshmitari.

Kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri, pas konsulltimit me trupin gjykues, mori vendim që të refuzohet propozimi për ndërprerjen dhe shtyerjen e seancës.

Përfaqësuesi i të dëmtuarës, përsëri doli me propozim, kësaj rradhe duke kërkuar përjashtimin e Prokurorit të Shtetit, me arsyetimin se nuk ka parashtruar asnjë pyetje për veprimet e të akuzuarit Albert si dhe gjatë gjithë seancës ka treguar njëanshmëri, në favor të të akuzuarëve.

Pas këtij propozimi, Kryetari i trupit gjykues mori vendim që të ndërpresë seancën, me qëllim që të njoftoi Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili është kompetent për të vendosur lidhur me përjashtimin e Prokurorëve.

Seanca u ndërpre dhe e njëjta u caktua me datë 26 Shtator 2019.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve për shkak se, Albert Ramadani, në vitin 2018, si pasojë të një borxhi për një veturë, të cilin i pandehuri ia kishte shitur Driton Krasniqit, përderisa i ndjeri Besart Hasani kishte negociuar këtë shitje, pas një mosmarrëveshjeje, fillimisht ishin rrahur e më pas i pandehuri kishte shtënë në drejtim të të ndjerit duke e plagosur në gjunjë, e më pas së bashku me të pandehurit Artan Ramadani, Fadil Ramadani dhe Argjend Ramadani e kishin rrahur atë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes, me këto veprime i pandehuri Albert Ramadani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë si dhe veprën penale armëmbajtje pa leje, ndërsa të pandehurit Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani kanë kryer veprën pjesëmarrje në rrahje, përderisa i pandehuri Driton Bytyqi akuzohet për veprën penale mashtrimi dhe pjesëmarrja në rrahje.

Monitorues: Mentor Buzhala