Gjykata Themelore në Prizren, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij B.V për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi kontroll, posedim të paautorizuar të armëve sipas KPRK-së.
Prokuroja e rastit Ervehe Gashi me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ka thënë se “Edhe pse të pandehurit i dihet identiteti dhe adresa e banimit, i pandehuri sipas të dhënave të tija personale jeton dhe punon përkohësisht në Zvicër çka do të thotë se ka leje qëndrimi në shtetin e Zvicrës dhe me lënien e tij në liri mund të ik, mund të largohet të fshihet dhe me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale, raporton “Drejtësia Sot”.
Prokurorja e shtetit ka shtuar se për më tepër në këtë çështje penale duhet të merren në pyetje dëshmitarët dhe pala e dëmtuar ngase nga shkresat e lëndës shihet se viktima dhe i pandehuri kanë qenë bashkëshortë dhe me dëshmitarët është ose në gjini të gjakut ose në gjini të krushqisë pra që të gjithë i njeh.
Duke u bazuar në këto rrethana, prokurorja Gashi, ka propozuar që kjo masë të caktohet, me arsyetimin se Kodi Penal i Republikës së Kosovës, për këtë vepër penale parasheh dënim të rëndë dhe shkaku i këtij dënimi i pandehuri mund të ikë, të largohet dhe me këtë mund ta pengojë rrjedhën e procedurës normale që duhet të zhvillohet ndaj tij.
Mbrojtësi i të dyshuarit B.V, avokati Orhan Rakathati tha se fillimisht ka biseduar me të mbrojturin e tij të dyshuarin B.V dhe mbrojtësi ka konsideruar se nuk ka pasur ndonjë parapërgatitje për kryerjen e kësaj vepre penale, “për këtë edhe e ka pranuar që e ka kryer vrasjen e viktimës, për arsye se viteve të fundit ndërmjet dyshuarit dhe viktimës janë paraqitur disa konflikte verbale”.
Vetë mbrojtësi i të dyshuarit tha se i mbrojturi i tij ka kryer vepër të rëndë penale andaj edhe nuk e kundërshtoi caktimin e paraburgimit në këtë fazë.
Ndërsa i dyshuari B.V ishte i shkurt në deklarimin e tij.
“Veprimet i kam ndërmarrë në një moment që edhe vet nuk e din se si erdhi deri te ai moment” tha i dyshuari B.V.
Ndërsa i njëjti shtoi se armën qe e ka pasur natën kritike e ka mbajtur me vete sepse ka pasur konflikte me fqinjin tij.
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus