Në mungesë të Prokurorit të shtetit, shtyhet gjykimi për legalizim të përmbajtjes së rreme

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

14:41 / 08 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në mungesë të Prokurores së shtetit Kujtesa Fazliu, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Sami Ademi nga Gjilani, i cili po gjykohet për veprën penale: “ Legalizim i përmbajtjes së rreme”, raporton Drejtësia Sot.

Këtë njoftim për shtyerje e komunikoi gjyqtarja Luljeta Shabani, e cila konfirmoi se prokurorja në fjalë ka një gjykim të caktuar në degën e gjykatës në Viti.

Përkundër që në këtë shqyrtim ishte paraqitur si zëvendesues prokurori Esat Ademi, ai i deklaroi gjykatës që nuk është i gatshëm ta përfaqësoi këtë lëndë ngase nuk është i informuar për natyrën e veprës dhe ecurinë e zhvillimit të procedurës në këtë lëndë.

Prokurori Esat Ademi u arsyetua se i duhet kohë për t’i lexuar shkresat e lëndës dhe se për këtë kërkoi nga gjykata që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Meqenëse nuk pati propozime e vërejtje nga palët, gjyqtarja Shabani vendosi që seanca gjyqësore të mbahet më datë 09.08.2019 nga ora 13:15 minuta.

Përndryshe, sipas akuzës së Prokurorisë në Gjilan, Sami Ademi akuzohet se më 30.12.2009, në Gjykatën ish komunale në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, ka vënë në lajthim organin kompetent në atë mënyrë që shkon në gjykatë me një person N.N duke e ditur se i njëjti nuk është pronar i paluajtshmërisë te vendi i quajtur “Gllama”.

Akuza thotë që i akuzuari dhe personi N.N, arrinë të vërtetojë kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë të kësaj prone e lidhur kinse mes kontraktuesve Xheladin Xheladini si shitës dhe Sami Ademi si blerës.
Sipas akuzës, Sami Ademi ka nënshkruar kontratën dhe ka vendosur në libër të protokollit, ku më pas të njëjtën pronë e bartë në emër të tij, dhe kështu ka vënë në lajthim organin kompetent për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Monitorues, Vullnet Bugaqku