Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Përgjithshëm është shtyrë seanca gjyqësore në mungesë të akuzuarit Naim Gajtani, i cili po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të veprës penale Kanosje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Naim Gajtani, avokati Adem Vokshi tha se i mbrojturi i tij sapo e ka lajmëruar se nuk mund të prezantojë në seancë për shkak se nëna e të akuzuarit ishte e sëmurë dhe është dashur që ta dërgojnë me shpejtësi në spital.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit prokurorja e shtetit, Jehona Grantolli kërkoi që në seancën e ardhshme i akuzuari të sjellë si provë vërtetimin mjeksësor në mënyrë që të arsyetojë mungesën e tij në shqyrtimin e sotëm.
Për shkak të mungesës së të akuzuarit, gjyqtarja e çështjes Sulltane Hoti tha se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit, andaj, vendosi që seancën ta shtyjë për datë 03 shtator 2019.
Sipas aktakuzës së Prokuorisë Themelore në Prishtinë i pandehuri Naim Gajtani akuzohet se për shkak të një mosmarrëveshje pronësore-juridike që kishte pasur me të dëmtuarën Selma Doda-Huniler, derisa e njëjta kishte qenë me vëllaun e saj Sami Doda në kafiterinë “Gagi Caffe”, në Prishtinë i akuzuari e kishte kanosur duke i thënë që të heq dorë nga pronësia përndryshe do ta gjej një e keqe, e në këtë mënyrë i kishte shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të ankthit.
Biondina ZENELI dhe Blendë MJEKU
Lajmet në fokus