Mungesa e ekspertit financiar shtyen seancën gjyqësore ndaj ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK)

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Leotrim Himaj

10:58 / 20 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prishtinë- Në mungesë të ekspertit financiar, Riza Blakaj, ka dështuar të mbahet shqyrtimi i paraparë për të martën, ndaj ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani, Sami Rrahmani dhe Rrahman Emini, të akuzuar për përvetësim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjyqtari Beqir Kalludra, tha se eksperti ishte ftuar në mënyrë të rregullt për seancë, mirëpo i njëjti qysh në seancën e kaluar kishte njoftuar se nuk do të jetë prezent, pasi që në këtë datë ka të caktuar pushimet, të cilat nuk mund t’i shtyjë.

Andaj meqenëse se eksperti Blakaj, është dëshmitar i vetëm në këtë rast dhe se i njëjti duhet të ndëgjohet, në mungesë të tij nuk mund të mbahet kjo seance gjyqësore, tha gjyqtari Kalludra.

Në mungesë të ekpertit, gjyqtari i rastit caktoi seancën e radhës me datë 16.09.2019.

Ndryshe, në seancën e kaluar kishte dëshmuar ish-nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Ali Dragush, i cili ndër të tjera ka dëshmuar se aktakuza ndaj zyrtarëve të BSPK është me tendencë.

Vlen të ceket se Gjykata e Apelit, për herë të dytë këtë rast e kishte kthyer në rigjykim më 3 prill të vitit 2018.
Apeli kishte vlerësuar që në rigjykim duhet të evitohen shkeljet, të administrohen të gjitha provat poashtu të bëhej angazhimi i ekspertit financiar dhe grafologjik ose të merret për bazë ekspertiza financiare ekzistuese.

Mirëpo sipas shkallës së dytë nëse paraqiten kundërthënie në mes ekspertizës financiare dhe asaj ekzistuese, atëherë duhet të dëgjohen dy ekspertët në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë të akuzuarit.

Sipas aktgjykimit Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që brenda 15 ditësh t’ia kompensojë BSPK-së, shumën në vlerë prej 11.500 euro.

Kurse, Sami Rrahmani ishte dënuar me një vit burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së, t’ia kompensojë dëmin prej 7060.20 euro.

Ndërsa, Rrahman Emini, ishte dënuar me një vit e 6 muaj burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së t’ia kompensojë shumën në vlerë prej 5536.60 euro.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në nëntorin e vitit 2016, i kishte shpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e BSPK-së. Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, Sami Rrahmani me një vit burgim me kusht dhe Rrahman Emini me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Por, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohej nëse personat në fjalë, nuk do të kryenin vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Por, pas ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, akuzohen se në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës si persona zyrtarë në selinë e BSPK-së në Prishtinë dhe atë Bahri Shabani, si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini, si përgjegjës për financa dhe Sami Rrahmani.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të urdhrit të pandehurit Shabani, i pandehuri Emini me urdhër të arkës nr.112 të datës 11 nëntor 2006 dhe kontratës nr. 308 të datës 11 nëntor 2005 kanë tërhequr nga arka si huazim për Ministrine e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro, të cilat i ka pranuar i pandehuri Rrahmani.

Ndërsa, kontrata në fjalë thuhet se nuk ekziston në MPMS, me çka këto mjete i kanë përvetësuar, duke e mbyllur arkën nr.49 më 28 shtator 2006, në emër të kthimit të huazimit nga MPMS, e që në bazë të llogarisë së BSPK, më 28 dhjetor 2005 në emër të përgatitjes së kongresit të IV të BPSK-së, nga i pandehuri Rrahman Emini është bërë tërheqja e mjeteve nga arka e BSKP në vlerë prej 7.006.02, në emër të kinse në emër të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi”.

E kjo, sipas aktakuzës, duke referuar një kontratë inekzistente është bërë tërheqja e mjeteve sipas nr të arkës 003/06 i datës 19 janar 2006, në shumë prej 5.553.60 euro në emër të gjoja kthimit të huazimit për këtë ndërmarrjen “Agro Llapi”, të cilat i ka pranuar Sami Rrahmani.

Por, ky huazim thuhet se nuk ekzistonte dhe këto mjete të pandehurit i kanë përvetësuar.

Tutje, thuhet se i pandehuri Shabani më 1 dhjetor 2004 ka marr një kredi në BPB në Prishtinë, në emër të BSPK-së në shumë prej 5000 euro dhe ato mjete i ka shpenzuar për nevoja të veta private dhe se të njëjtët kredi e ka kthyer në vitin 2007, kur ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në këtë rast, me ç ‘rast thuhet se BSPK-së i kanë shkaktuar dëm material.

Monitoruar nga Leutrim Himaj