Mbrojtësi i akuzuarit kërkon marrëveshje mbi pranimin e fajësisë në rastin e laborantit të Gjakovës.

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

11:50 / 19 Gusht 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjakovë – Gjykimi i sotëm i paraparë në ora 10:00 për të akuzuarin Ali Shabanaj filloi me 30 minuta vonesë, pasi që prokurori Ramiz Buzhala ishte i angazhuar edhe në një çështje tjetër.

I njejti po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në cilësinë e përsonit zyrtar-laborant në Laboratorin e Spitalit “Isa Grezda”. Lidhur me këtë rast kishte raportuar edhe më parë “Drejtësia Sot”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj deklaroi se së bashku me të mbrojturin e tij kanë shqyrtuar mundësinë për të arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë për të shkurtuar edhe kohën andaj nga trupi gjykues kërkoi, që kjo seancë të shtyhet deri në arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Prokurori Buzhala këtë propozim nuk e kundërshtoi, i njejti kërkoi nga mbrojtësi që marrëveshjen ta bëjë në formë të shkruar dhe kërkoi nga gjykata që t’i lihet kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e kësaj marrëveshjes.

U aprovua propozimi i mbrojtësit të akuzuar, avokati Dodaj, duke i’u lënë kohë të mjaftueshme për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë me datën 18.06.2019 ndaj të akuzuarit Ali Shabanaj.

Sipas aktakuzës i akuzuari Shabanaj në intervalin kohor, nga fillimi i vitit 2019 deri me datën 24.04.2019, në cilësinë e personit zyrtar-laborant në Laboratorin e Spitalit Rajonal “ Isa Grezda” në Gjakovë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që vetit ti sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe tu shkaktoj dëme të tjerëve, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me ligjin për shëndetësi dhe udhëzimin administrativ për parandalimin e konfliktit të interesit në institucionet shëndetsore i pandehuri gjatë orarit të rregullt të punës në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, nuk u shërben pacientëve të cilët kërkojnë shërbime në laborator sipas udhëzimeve të mjekëve nga institucionet e nivelit parësor të kujdesit shëndetësor por të njejtit i dërgon që analizat e kërkuara në laborator të spitalit ti bëjnë në laboratorin e tij privat “Xiri Lab” në Gjakovë me pagesë.

Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 parag.2 lidhur me parag.1 nënpar.2.1 të KPRK-së.

Monitoruan: Jeta Vula dhe Qendresa Bytyqi.